Ministri i Familjes, Andin Hoti, e ka cilësuar jashtëzakonisht të rëndësishëm Projektligjin për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës Çlirimtare, duke theksuar se më shumë se 27 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, vendi ende nuk ka një ligj të tillë.
Këto komente Hoti i bëri në Kuvendin e Kosovës, në përgjigje të deputetes së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, e cila kërkoi që projektligji të procedohet më herët sesa afati i paraparë, më 30 gusht 2027.
Hoti tha se Qeveria do të vazhdojë punën edhe gjatë muajit gusht dhe muajve të tjerë, duke kërkuar që çështja të mos shndërrohet në debat politik.
“Pajtohem plotësisht me ju në një pikë të kësaj pyetje, ligji është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe e kemi diskutuar disa herë, për ne qeverinë nuk ka muaj të pushimit, ne do punojmë edhe në muaj gusht e çdo muaj tjetër kalendarik. Më lejoni të ju kujtoj një fakt, kanë kaluar më shumë se 27 vite e pesë muaj që nga përfundimi i luftës në Kosovë, më shumë se 27 vite dhe ne ende nuk kemi një ligj të tillë dhe ju sot po kërkoni llogari prej meje pse e kam qitur në një afat prej 10 muajsh. Ju keni qenë deputetë që shumë mandate këtu, jam i bindur që e dini se sipas kushtetutës së republikës edhe deputetët kanë të drejtë në nismën legjislative, prandaj nuk dua të hy në diskutime. Mos e ktheni në sulm politik një proces që më në fund e kemi shumë seriozisht”, tha Hoti.
Nga ana tjetër, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka kundërshtuar pretendimin e ministrit se pyetja e saj kishte karakter politik. Ajo ka theksuar se qëllimi i saj ishte të kërkonte sqarime për afatin e procedimit të projektligjit.
“ Andin Ukshin Hoti, faleminderit për ligjëratën, nuk bëra politikë aspak, asnjë term i asaj që e thashë nuk pati politikë, përkundrazi ti bëre politikë. Mirë që ka ardhur në agjendë legjislative dhe në mënyrë hipotetike e thashë, përpos asaj që e kam luftë e kam ruajtur integritetin”, tha Kadrijaj.
Kadrijaj ka rikujtuar se në programin e projektligjeve të Qeverisë për periudhën 2026-2028, Projektligji për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës Çlirimtare është paraparë të procedohet në Kuvend më 30 gusht 2027.
Ajo e ka cilësuar të paarsyeshme shtyrjen deri në atë datë, duke kërkuar nga ministri që të sqarojë nëse Qeveria planifikon ta sjellë projektligjin më herët.
“Në programin e projektligjeve të qeverisë për vitin 2026-2028 ligji për mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare është parapa të vij në kuvend me datë 30 gusht 2027, e sipas kalendarit gjithmonë muaji tetë është muaj pushimi. Është e paarsyeshme shtyerja deri në atë kohë, a do e sjellni më herët këtë ligj në kuvend, apo do e zvarritni?”, pyeti ajo.