Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e UÇK-së, Andin Hoti, u shfaq i emocionuar gjatë fjalimit të tij në ceremoninë e rivarrimit të Sinan Dautit, i zhdukur që nga viti 1999, i cili sot u rivarros në vendlindjen e tij në Prekaz të Epërm.
Hoti tha se kjo nuk ishte vetëm një ceremoni varrimi, por edhe një përpjekje për të mbyllur një plagë të hapur prej më shumë se dy dekadash.
Ai rikujtoi se Sinan Dauti ishte vetëm një fëmijë, i cili nuk kishte mbushur ende nëntë vjeç kur u vra gjatë luftës.
“Sinan Dauti nuk ishte as ushtar, nuk ishte as pjesë e ndonjë beteje, ishte vetëm një fëmijë. Vetëm pak javë pa i mbushur nëntë vjet. Në atë moshë Sinani do të duhej të ishte në shkollë, jo në listat e të zhdukurve për 27 vite. Do të mbante libra në duar, jo plumba në barkun e tij.Dhe pikërisht kjo e bën historinë e tij edhe më të rëndë, edhe më të dhimbshme, edhe më të papranueshme për çdo shoqëri që pretendon të quhet njerëzore. Krimi ndaj Sinanit të vogël nuk është vetëm një akt barbar, është një tregues i qartë se deri ku mund të shkojë urrejtja kur humbet çdo kufi njerëzor dhe shndërrohet në një monstrum mizor”, u shpreh Hoti.
Ministri theksoi se shumë institucione dhe individë kanë kontribuar në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, përfshirë Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, Institutin e Mjekësisë Ligjore, Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe Policinë e Kosovës.
Ai shtoi se, megjithëse gjetja e mbetjeve mortore u jep familjeve mundësinë për të kryer ceremoninë e varrimit, dhimbja mbetet e pashuar.
Hoti theksoi se kjo histori nuk i përket vetëm një familjeje, por është pjesë e përjetimit kolektiv të popullit të Kosovës gjatë luftës.
Ai kërkoi drejtësi për krimet e kryera dhe theksoi se përgjegjësia duhet të vihet në vend.
Në fund, ai u shpreh se, pavarësisht sakrificave të mëdha, Kosova sot është e lirë dhe shtet i pavarur, ndërsa drejtësia për krimet e luftës mbetet ende një kërkesë e hapur.