Hoti thotë se për projektin e gazit duhet protestuar deri në largimin e Qeverisë

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë në detyrë lidhur me mosangazhimin në projektin e gazit të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar atë si një çështje me rëndësi strategjike për orientimin gjeopolitik të vendit dhe sigurinë energjetike.

Në një reagim në Facebook, Hoti ka ngritur disa pyetje drejtuar Qeverisë, duke pyetur pse po e refuzon këtë projekt amerikan në një kohë kur, sipas tij, vendet e rajonit po përfshihen në iniciativa të ngjashme për t’u larguar nga ndikimi rus.

Ai ka theksuar se çështja e gazit nuk është vetëm ekonomike, por lidhet drejtpërdrejt me orientimin gjeopolitik të Kosovës dhe partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Hoti ka kritikuar edhe opozitën, duke thënë se aktiviteti i saj është përqendruar në “kapjen e posteve shtetërore” dhe jo në kauza, gjë që sipas tij ka ndikuar në rezultatet zgjedhore të fundit.

“Është për keqardhje të shohësh sa me lehtësi e tejkalojnë këtë temë disa opozitarë, të cilët mjaftohen me përdorimin e saj vetëm në kohë zgjedhjesh. Nëse ekziston kauzë për të cilën duhet dalë në rrugë në protesta demokratike deri në largimin e kësaj qeverie është ky projekt i gazit”, ka shkruar ai.

Hoti ka shkuar më tej duke thënë se, sipas tij, heshtja ndaj këtij procesi “nuk është neutralitet, por bashkëfajësi”, ndërsa ka përmendur edhe pezullimin e Kosovës nga stërvitja “Defender Europe ’23” dhe pezullimin e dialogut strategjik Kosovë–SHBA në vitin 2025, si zhvillime shqetësuese.

Ai ka kritikuar edhe mungesën e investimeve në sektorin energjetik gjatë gjashtë viteve të fundit, duke pretenduar se nuk është bërë “absolutisht asgjë” për ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë.

Të fundit nga rubrika