Hoti thotë se Qeveria Kurti po mashtron me furnizimin e fëmijëve me libra
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se Qeveria është duke mashtruar me furnizimin me libra të fëmijëve nga klasa e parë deri në të nëntën. Sipas tij Qeveria kishte dështuar në kryerjen e prokurimit për blerjen e librave direkt. “Subvencionimi i prindërve për blerjen e librave nuk është zgjidhja më e […]
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se Qeveria është duke mashtruar me furnizimin me libra të fëmijëve nga klasa e parë deri në të nëntën.
Sipas tij Qeveria kishte dështuar në kryerjen e prokurimit për blerjen e librave direkt.
“Subvencionimi i prindërve për blerjen e librave nuk është zgjidhja më e mirë as për buxhetin e shtetit dhe as për prindërit e nxënësit. Përcaktimi për këtë formë të furnizimit me libra nuk ka qenë asnjëherë politikë e Qeverisë Kurti. Kjo është imponuar për shkak të dështimit të Qeverisë në kryerjen e prokurimit për blerjen e librave direkt nga shtëpitë botuese në dy vitet e fundit”, tha ai.
Po ashtu ai tha se “çdokush me dije elementare ekonomike e di se blerja e mallrave me shumicë kushton më lirë se blerja me pakicë”.
“Dallimi përcaktohet nga marzha e fitimit e shitësve me pakicë. Në dy vitet e fundit, Qeveria Kurti ka kaluar në blerjen me pakicë. Kështu që, buxhetit të shtetit dhe familjeve po u kushtojnë disa milionë më shtrenjtë librat e nxënësve”, tha ai.
Sipas tij argumenti se po kursehet buxheti duke mos paguar shtëpitë botuese drejtpërdrejt nga buxheti është mashtrim.















