Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e ka mirëpritur vendimin e fundit të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, për furnizim me barna të spitaleve dhe qendrave mjekësore edhe në komunat me shumicë serbe.

Në një shkrim në rrjetin social “X”, Hovenier tha se është i lumtur për këtë iniciativë për t’i shërbyer të gjitha komuniteteve.

“I bashkohem kolegut tim nga BE për të mirëpritur miratimin e shpejtë të vendimit nga ministri Vitia për donacionet me barna dhe furnizimet mjekësore. E përgëzoj përkushtimin e tij të vendosur për t’i shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë”, shkroi ai.

Po ashtu, edhe ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, e ka përshëndetur vendimin e Vitisë, derisa atë e ka rishpërndarë edhe ambasadori amerikan.

“Vlerësojmë miratimin e shpejtë nga ministri i Shëndetësisë dhe ekipi i tij i kërkesës për ofrimin e barnave dhe furnizimeve mjekësore për spitalet dhe qendrat shëndetësore në zonat e komunitetit me shumicë serbe të #Kosovës . Shpresoj se do të dorëzohen shpejt”, shkroi Szunyog.