Hoxha: Arsimi e jo armatimi duhet të jetë projekt kryesor i kësaj qeverie dhe shtetit të Kosovës

"Arsimi e jo armatimi duhet të jetë projekt kryesor i kësaj qeverie dhe shtetit të Kosovës", ka deklaruar deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eliza Hoxha, ka kritikuar qeverinë e Kosovës me rastin e Ditës së Mësuesit, duke thënë se arsimi e jo armatimi duhet të jetë projekt kryesor i kësaj qeverie dhe shtetit të Kosovës.

Sipas Hoxhës, për këtë duhet të ketë konsensus mbipartiak nëse ka aspirata që Kosova të ketë ushtarë të së ardhmes e ushtarë të paqes, që, siç shprehet ajo, mësuesi është fanari i përhershëm.

“Vëmendja jonë për arsimin sot, në këtë ditë të veçantë, duhet të jetë mobilizim kombëtar, institucional dhe qytetar, për të rikthyer dinjitetin e nëpërkëmbur të mësimdhënësve, për të ringjallur shpresën, dëshirën dhe nevojën për mësim gjatë gjithë jetës në dinamikën e shpejtë të zhvillimeve teknologjike dhe inteligjencës artificiale, ku rolet e përgjegjësitë tona profesionale ndërrojnë më shpejt se që mendojmë dhe ku adaptimi i vazhdueshëm është domosdoshmëri. Arsimi, jo srmatimi duhet të jetë projekti kryesor shtetëror për të cilin duhet të ketë koncensus mbipartiak nëse dëshirojmë që Kosova të ketë ushtarë të së ardhmes, ushtarë të paqes e mësuesi është fanari i përhershëm”, ka deklaruar Hoxha.

Deputetja e PDK-së, në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se roli i mësimdhënësve është jetik për të ardhmen e shoqërisë, teksa ka shprehur shqetësimet se punëtorët në sektorin e arsimit, në të gjitha nivelet, ballafaqohen me sfida të shumta, por përkundër kësaj, ata vazhdojnë të frymëzojnë dhe t’i fuqizojnë nxënësit e studentët e tyre.

“Sot kur po shënojmë Ditën e Mësuesit, të vetëdijshëm për rolin e tyre jetik në mbijetesën sonë kombëtare në të kaluarën, le t’i përkujtojmë vetes edhe rolin e tyre jetik për të ardhmen e shoqërisë sonë. Unë i takojë gjeneratës që për 10 vite është shkolluar nëpër  shtëpitë  – shkolla. Shpesh e përfytyrojë  se cfarë do të mund të isha unë, ku do të isha unë apo gjenerata ime nëse solidariteti e stoicizmi i mësimdhënësve të  viteve 90-ta nuk do të ekzistonte. Sot kur e mendoj duket gjithcka sureale. Por, pa ta ne do të ishim gjenerata e humbur e Kosovës dhe jo vetëm. Punëtorët në sektorin e arsimit, në të gjitha nivelet,  ballafaqohen me sfida të shumta, por përkundër kësaj, ata vazhdojnë të frymëzojnë dhe t’i fuqizojnë nxënësit dhe studentët e tyre”, ka vijuar ajo.

Hoxha ka kritikuar qeverinë për mungesë të ofrimit të kushteve më të mira të punës për mësimdhënësit.

“Duke neglizhuar kushtet e tyre të punës, qeveria thellësisht po zvogëlon vlerën e punës së palodhur dhe përkushtimit të tyre. Ju shprehi revoltën dhe zhgënjimin tim për mostrajtimin e arsimit si një prioritet. Dua t’ju përkujtoj se në mesin e premtimeve të shumta kishit thënë – po citoj ‘Qeveria Kurti do të  jetë  qeveri e arsimit për arsimin’, e megjithatë nëse e shikojmë në retrospektivë, ju e injoruat atë, e anashkaluat dhe madje bullizuat përfaqësuesit e tyre. Mbase edhe keni pandehur se mund të zëvendësoni të gjithë mësimdhënësit dhe nuk ka nevojë Kosova më për ta, prej kur ju jeni në krye të këtij pushteti të madh, në asnjë vit të qeverisjes suaj mësimi në shkollat e Kosovës nuk ka nisur me gëzim e normalitet”, ka theksuar ajo.

Sipas saj, greva e sindikalistëve mësimdhënës dhe injorimi i kërkesave të  tyre dhe mungesa e dialogut vazhdon e mbetet shqetësim.

“Mospërmbushja e obligimit ligjor të  ministres Nagavci për sigurimin e teksteve shkollore falas, Mungesa e digjitalizimit ne shkolla ku nga 600.000 euro të vitit të kaluar ishin investuar 0 euro në këtë drejtim pa cka që është premtim i juaji elektoral, nga 160 çerdhe të premtuara keni realizuar afërsisht 10% të tyre, rezultati në PISA është më keq se që ishte në 2018, etj, etj, etj… E si për ironi, sot në liri vetëm në dy muajt e fundit, Kosovën e kanë lëshuar 600 mësimdhënës. Është e dhimbshme të shohësh sot se si shkollat përballen me resurse të mangëta, programe të vjetra, punëtorë të arsimit të kërcënuar dhe të nënvlerësuar, me dhunë, pasiguri, pa qasje, pa integrime, pa motivime dhe pa rezultate të kënaqshme”, ka vijuar Hoxha.

Shija e redaktorit

Raporti për lirinë e medias vlerësohet alarm për shoqërinë dhe...

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vendi ynë shënoi rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”....

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Të fundit nga rubrika