Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka reaguar ndaj deklaratës së ministres serbe, Snezhana Paunoviq, e cila tha se, po të kishte pasur lirinë e veprimit që kishte Slobodan Millosheviqi, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.
Përmes një reagimi në rrjetin social X, Hoxha e cilësoi deklaratën si të papranueshme, tronditëse dhe fyese për viktimat e luftës.
Sipas tij, shprehja e keqardhjes që në Kosovë nuk është kryer një spastrim etnik edhe më i madh përbën relativizim dhe normalizim të një prej krimeve më të rënda kundër njerëzimit.
Ai theksoi se deklarata të tilla bien ndesh me vlerat mbi të cilat është ndërtuar Evropa, minojnë përpjekjet për pajtim dhe bashkëpunim, ushqejnë mosbesimin e urrejtjen, si dhe rihapin plagët e luftës.
Hoxha shtoi se askush nuk mund të ndërtojë besim duke lartësuar politika dhe figura përgjegjëse për tragjedi e krime në rajon, duke iu referuar Slobodan Millosheviqit.