Hoxha: Dialogu në ngërç, palët operojnë në universe paralele
Analisti politik, Dibran Hoxha, e ka vlerësuar si të pamjaftueshëm dhe të bllokuar procesin e dialogut Kosovë-Serbi, pasi, sipas tij, me vendosjen e kushteve po bëhen shfaqje teatrale. Hoxha, në “Debat Plus”, ka theksuar se palët “operojnë në universe paralele”, duke mos arritur të paraqesin qartë pozicionet e tyre dhe duke e mbytur kështu mundësinë […]
Analisti politik, Dibran Hoxha, e ka vlerësuar si të pamjaftueshëm dhe të bllokuar procesin e dialogut Kosovë-Serbi, pasi, sipas tij, me vendosjen e kushteve po bëhen shfaqje teatrale.
Hoxha, në “Debat Plus”, ka theksuar se palët “operojnë në universe paralele”, duke mos arritur të paraqesin qartë pozicionet e tyre dhe duke e mbytur kështu mundësinë e normalizimit të marrëdhënieve.
“Në momentin që vendos një datë e takimit në Bruksel, kur ka shku zoti Kurti në mostakimin që nuk ndodhi me Vuçiqin ka shkuar duke mos pasur një qëllim të qartë, duke mos i paraqitur qartë pozicionet e palëve. Nëse e sheh edhe prej ditës së djeshme, edhe në këtë muaj të fundit sesi është zhvilluar dialogu, është komplet proces i shpërbërë për faktin se të gjitha palët operojnë në universe paralele, del Petkoviq dhe thotë se Kosova është pala e cila po e mbyt dialogun dhe akuzon Bislimin. Del Bislimi dhe thotë po ashtu se Serbia nuk është e interesuar dhe po e shkel dialogun, dhe se duhet ta normalizojnë marrëveshjen”, ka thënë Hoxha.
Ai gjithashtu ka kritikuar rolin e BE-së dhe deklarimet e kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se kushtet nga ana e tyre po bëhen për konsum të brendshëm dhe se po e bëjnë procesin një shfaqje teatrale.
“Në ndërkohë, prej Bislimit e dëgjova se BE-ja nuk është e kënaqur në hapat që janë bërë në proces, sepse ata kanë supozuar që do të ecën më shpejt. Në ndërkohë ne jemi në një ngërç tash e sa kohë në dialog, edhe pse pas Banjskës qëndrimet zyrtare të përfaqësueve tanë kanë qenë se nuk shkohet në Bruksel pa u zgjidhur çështja e Banjkës, kanë vazhduar takimet për dinarin. Një shfaqje teatrale për me vendosë disa kushte dhe për me na dhënë material për konsum të brendshëm”, ka deklaruar analisti politik, Dibran Hoxha.















