“Kosova humbi njohjen dhe fitoi Asociacionin”, “Marrëveshja, me të cilën, u dakordua Kurti ka gjithçka përveç njohjes”.

Këto janë dy qëndrimet e partive opozitare, i pari i PDK-së dhe i dyti i LDK-së, pas takimit në Bruksel në mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq.

I ftuar në “FIVE” të RTV Dukagjini, analisti Dibran Hoxha ka deklaruar se një diskurs i kësaj natyre i përdorur nga partitë opozitare, po bëhet me qëllim të rritjes së vetë partive, por përmes sulmeve ndaj parties në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

“Diskursi është me u tentu me u ngrit duke sulmuar LVV-në. Kjo mund të jetë me të drejtë nëse kritika qëndron, por jo duke thënë, duke e paraqitur në konotacione të tjera punën e Asociacionit…Edhe LDK, edhe PDK, e patën ‘nuk e fituam njohjen, e morëm Asociacionin’, në atë konotacion… Po në rregull, ne duhet t’ia përmendim, por ju na detyroheni një shpjegim apo një kërkim faljeje, ose një distancim prej asaj se pse ju e keni nënshkruar”, ka deklaruar ai.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas takimit në Bruksel, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u pajtua me propozimin evropian mbi normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, kjo marrëveshje nuk është finale dhe nuk e përmban njohjen e ndërsjellë dhe se kryeministrit i ka mbetur vetëm data e themelimit të Asociacionit.

Nga ana tjetër, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se për dy vite me radhë e kanë mbështetur kryeministrin Kurti në raport me Serbinë, e kanë inkurajuar që të koordinohet me aleatët ndërkombëtarë dhe i kanë ofruar propozime konkrete në lidhje me marrëveshjen finale me njohjen e ndërsjellë në qendër.

“Duke e injoruar çdo ndihmë e këshillë që ka ardhur nga ne, kokë në vete dhe në kundërshtim me interesat afatgjate të Republikës së Kosovës, lryeministri Kurti, përmes veprimeve dhe politikave të gabuara, degradoi pakthyeshëm procesin e dialogut. Rrjedhimisht, ai mundësoi heqjen e marrëveshjes finale me njohjen e ndërsjellë në qendër dhe i solli vendit një marrëveshje të përkohshme me Asociacionin në qendër”, ka deklaruar ai, të hënën.