Hoxha i reagon Gjuriqit: Lumenjtë duhet të bartin ujë, jo kërcënime

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, i ka reaguar ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, duke theksuar nevojën për dialog, besim dhe bashkëpunim pragmatik në rajon.

Hoxha ka vlerësuar tonin më të qetë të mesazhit të Gjuriqit, por ka thënë se e ardhmja e rajonit nuk duhet të ndërtohet mbi kërcënime dhe akuza.

“E vlerësoj sentimentin më të qetë në përmbylljen e mesazhit të Marko Gjuriqit, sepse pikërisht aty qëndron e ardhmja e rajonit tonë: jo te kërcënimet dhe akuzat, por te dialogu, besimi dhe bashkëpunimi pragmatik”, ka shkruar Hoxha.

Duke iu referuar debatit për lumin Ibër dhe ujin, Hoxha ka theksuar se burimet ujore nuk njohin kufij politikë.

“Uji është jetë. Ai nuk mban pasaportë, nuk lexon hartat politike dhe nuk ndalet të pyesë se në cilën anë të kufirit po rrjedh”, ka deklaruar ai.

Sipas Hoxhës, përdorimi i ujit si mjet ndëshkimi nuk është çështje që mund të konsiderohet vetëm si problem i një shteti tjetër.

“Po, Ibri nuk rrjedh përmes Shqipërisë. Por nëse nesër dikush do të kërcënonte ta ndërpriste Serbinë nga uji që rrjedh përmes territorit të tyre, Shqipëria do të ishte po aq e zëshme”, ka shkruar Hoxha.

Ai ka shtuar se një reagim i tillë nuk do të lidhej me faktin nëse ai ujë përfundon apo jo në Shqipëri, por me parimin e bashkëjetesës paqësore në rajon.

“Ky është roli i fqinjëve, apo jo? Të mos llogarisim nëse uji arrin fillimisht te rubineti ynë para se të vendosim nëse duhet të na interesojë, por të kujdesemi para se llogaritje të tilla të përcaktojnë lagjen ku jetojmë”, ka thënë ai.

Hoxha ka bërë thirrje që debati të largohet nga retorika nacionaliste dhe të fokusohet te bashkëpunimi.

“Lumenjtë duhet të bartin ujë, jo kërcënime, ndërsa kufijtë duhet të përcaktojnë juridiksionet, jo të ndajnë përgjegjësinë tonë për paqen”, është shprehur ministri shqiptar.

Hoxha ka përmendur edhe diskutimet për konceptet “e Madhe” që, sipas tij, janë rikthyer në debat.

“Sa i përket të gjitha gjërave ‘të Mëdha’ të thirrura në këtë diskutim, Shqipëria mbetet e interesuar vetëm për një: një Bashkim Evropian më të Madh, që përfshin Kosovën, Serbinë, Shqipërinë dhe pjesën tjetër të rajonit tonë”, ka shkruar ai.

Hoxha ka thënë se Shqipëria është e gatshme të punojë për shembuj konkretë të bashkëpunimit mes shqiptarëve dhe serbëve.

“Le të vazhdojmë me më shumë Evropë, më pak mitologji dhe më shumë arsye për ta parë të kaluarën tonë përmes syve të së ardhmes, në vend që ta shohim të ardhmen përmes syve të së kaluarës, Dhe, po, ujë për të gjithë. Për të pirë në paqe dhe për të ujitur, po aq paqësisht, tokat pjellore të lagjes sonë të përbashkët dhe të bukur”, shkruan Hoxha.

Më 9 gusht, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, përsëriti qëndrimin e tij – të disa viteve më parë – për mundësinë e ndryshimit të kahut të Ibrit, duke thënë se tashmë kanë nisur konsultimet me ekspertë të fushës.

Deklaratat e tij u kundërshtuan nga ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila e cilësoi idenë si “absurde”, “kërcënuese” dhe “shoviniste”.

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika