Hoxha kërkon avancimin e aplikimit të Kosovës në Kartën e Adriatikut

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka kërkuar avancimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Kartën e Adriatikut, duke e cilësuar këtë çështje si të rëndësishme për forcimin e sigurisë dhe bashkëpunimit në rajon.

Hoxha mori pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve të Kartës së Adriatikut, të organizuar në New York nën kryesimin e Kroacisë, ku theksoi nevojën për forcimin e bashkëpunimit rajonal përballë sfidave të reja të sigurisë, njofton Dukagjini.

Sipas tij, më shumë se dy dekada pas krijimit, Karta e Adriatikut vazhdon të jetë një shtyllë e rëndësishme e sigurisë rajonale dhe bashkëpunimit euroatlantik.

Hoxha tha se siguria sot shkon përtej kërcënimeve konvencionale dhe përfshin edhe kërcënimet kibernetike, sigurinë energjetike dhe manipulimin dhe ndërhyrjen e huaj në informacion.

“Megjithatë, siguria në Ballkanin Perëndimor kërkon më shumë se qëndrueshmëri. Ajo kërkon edhe përfshirje”, ka shkruar Hoxha.

Në këtë drejtim, ministri shqiptar theksoi se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Kartën e Adriatikut ka mbetur pezull për një kohë të gjatë.

“Në këtë drejtim, aplikimi i Kosovës për anëtarësim ka mbetur pezull për shumë gjatë. Avancimi i kësaj çështjeje do ta forconte kohezionin rajonal dhe do ta fuqizonte kapacitetin tonë kolektiv për t’u përballur me sfidat e përbashkëta të sigurisë”, ka shkruar Hoxha në X.

Ai shtoi se një Kartë e Adriatikut më e hapur, e përshtatshme ndaj ndryshimeve, më e fuqishme dhe më gjithëpërfshirëse do të kontribuonte në një Ballkan Perëndimor më të sigurt dhe do të mbetej e rëndësishme për të ardhmen euroatlantike të rajonit.

 

Të fundit nga rubrika