Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se Policia e Kosovës tashmë ka kapacitete shumë më të mëdha se në kohën e sulmit në Banjskë, duke theksuar se pjesëtarët e saj janë të gatshëm të sakrifikojnë jetën në kryerje të detyrës.
Hoxha këto deklarata i bëri në trevjetorin e sulmit të armatosur në Banjskë, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
“Kjo është dëshmi që Policia e Kosovës ka një guxim të jashtëzakonshëm. Ka djem dhe vasha që janë të gatshëm me e sakrifiku jetën e tyre për t’i dalë ballë atdheut tonë, detyrave që na presin. Dhe po ashtu, Policia e Kosovës ju garanton që tashmë ka kapacitete shumë më të mëdha sesa që ka pasur në atë kohë. Kemi përgatitje, kemi motivim dhe kemi moral shumë të lartë para nesh”, ka thënë ai.
Sipas tij, çdo popull i cili e harron historinë e vet dhe heronjtë e vet është i destinuar për të dështuar.
“Çdo popull i cili e harron historinë e vet dhe heronjtë e vet është i destinuar për të dështuar. Kosova, Policia e Kosovës, institucionet e saja nuk i harrojnë. Andaj sot ne edhe po e vendosim obeliskun për heroin tonë Afrim Bunjaku, në mënyrë që t’i kujtojmë brezat e ardhshëm, edhe po ashtu duhet me e përcjellë edhe një mesazh që Policia e Kosovës, shteti ynë nuk është kundra askujt, kundra asnjë grupi etnik që jeton në Kosovë. Ne jemi këtu për të garantuar rend dhe siguri për të gjithë. E besojmë që dalëngadalë do të fitojmë çdo besim të çdo qytetari edhe në këtë pjesë të Kosovës”, tha ai./EO