Analisti politik Ylli Hoxha ka publikuar parashikimin e tij për rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, duke vlerësuar se Lëvizja Vetëvendosje do të mbetet forca e parë politike në vend me 50 deputetë.
Sipas Hoxhës, Partia Demokratike e Kosovës do të renditet e dyta me 24 deputetë, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës do të sigurojë 19 ulëse në Kuvend.
“AAK – 7 deputetë, LDK – 19, PDK – 24, PSD – problem me e kapërcy pragun, LVV – 50. Ky ka me qenë pak a shumë rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit”, ka deklaruar Hoxha.
Ai parashikon se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të arrijë të sigurojë shtatë deputetë, ndërsa Partia Socialdemokrate do ta ketë të vështirë kalimin e pragut zgjedhor.
Hoxha ka vlerësuar se Lëvizja Vetëvendosje përballet me disa faktorë që mund ta vështirësojnë arritjen e një rezultati të ngjashëm me atë të zgjedhjeve të dhjetorit.
“Sipas tij, janë tri faktorë që e defavorizojnë Lëvizjen Vetëvendosje në këto zgjedhje për të arritur suksesin e jashtëzakonshëm që e kanë arritur në dhjetor. Rezultati i dhjetorit ka qenë rezultat që nuk është pritur as nga vetë ata. Nuk kanë menduar që shkojnë në 51%”, ka deklaruar ai.
Ai ka përmendur si faktorë kryesorë ndikues figurën e Vjosa Osmanit, pjesëmarrjen e diasporës dhe lodhjen e elektoratit nga proceset e shpeshta zgjedhore.
“Së pari, Vjosa Osmani e ka një peshë që e çon LDK-në deri në momentet e fundit dhe mund të krijojë pavendosmëri. Pavendosmëria mes Vjosës dhe VV-së mund të reflektojë në një sasi abstenimi. Së dyti, diaspora në dhjetor ka qenë kulmi i pjesëmarrjes dhe ka krijuar një momentum që këtë herë mund të jetë më i ulët”, është shprehur ai.
Sipas tij, edhe cikli i shpeshtë zgjedhor po ndikon në uljen e entuziazmit qytetar.
“Procesi zgjedhor i pesti brenda 15 muajsh është irritues. Entuziazmi nuk do të jetë i njëjtë me proceset e kaluara zgjedhore dhe ekziston rreziku të bjerë pjesëmarrja. Qoftë edhe për vikend në Shëngjin apo Velipojë, mund të ketë disponim familjar e jo zgjedhor”, ka shtuar ai.
Ai ka vlerësuar se PDK dhe AAK mund të kenë një përmirësim të lehtë në rezultat, veçanërisht në kushte të pjesëmarrjes më të ulët.
“PDK dhe AAK do të kenë përmirësim të vogël. Në dalje të ulët ato janë më të favorizuara sesa VV dhe LDK. Shto këtu edhe ndikimin e Nismës”, ka thënë ai.
Për LDK-në, ai ka theksuar rolin e Vjosa Osmanit si faktor që mund të ndikojë në votën e pavendosur, ndërsa ka shtuar se në përgjithësi rezultati mund të mbetet në linjën mes zgjedhjeve të dhjetorit dhe atyre të shkurtit.
“Pres që rezultati të jetë mes shkurtit dhe dhjetorit. Nuk do të ndryshojë shumë skena politike, do të vazhdojnë të njëjtat diskutime, përveç nëse ka presion të jashtëm për krijimin e institucioneve”, ka përfunduar ai.