Mentor Hoxha, nga FactChecker, ka folur për lajmet e rreme dhe rrezikun e tyre në këtë kohë të tensionuar. Sipas tij, është e rëndësishme që opinioni të informohet drejt.

Ai ka thënë se gjatë monitorimit të lajmeve në mediat në Serbi ka hasur në keqraportim, pasi sipas tij për kidnapimin e pjesëtarëve të PK-së e kanë raportuar si “arrestim të një grupi të armatosur gjerë në dhëmbë”. Ndërsa ai ka sqaruar se media në Kosovë e kanë raportuar si kidnapim.

“Gjatë kësaj kohe kemi monitoruar se si kjo ngjarje është raportuar në mediat serbe për të vazhduar tek mediat shqiptare në Kosovë, Shqipëri dhe ato ndërkombëtare. Kemi konstatuar që kemi një raportim të ndryshëm për cilësinë e ngjarjes. Në Republikën e Kosovës, kjo ngjarje është raportuar si kidnapim dhe nëse flasim për mediat ndërkombëtare prestigjioze e kemi një raportim të ndryshëm, kemi raportim si mbajtje dhe arrestim”, ka sqaruar ai.

“Realisht, në raste të tilla lajmet e rrejshme janë ato të cilat më së shumti mund të hasin lexuesit. Për fat të mirë, ne në rrethana të tilla tentojmë që të mbikëqyrim më tepër, për të pasur mundësi të reagojmë në kohë…por gjithmonë tentojmë që duke i demantuar ato të mos bëhemi zëdhënës i atyre lajmeve”, ka thënë Hoxha.