Analisti Ylli Hoxha vlerëson se protesta e zhvilluar në Shqipëri nuk lidhet vetëm me kundërshtimin e projekteve në Sazan apo Zvërnec, por përfaqëson një shpërthim të pakënaqësive të akumuluara ndër vite ndaj klasës politike dhe mënyrës së qeverisjes.
Duke folur në Debat Plus, Hoxha e cilësoi protestën si një zhvillim befasues për nga përmasat dhe pjesëmarrja, duke thënë se ajo ka lindur në një moment kur skena politike dukej e qetë.
“Është një protestë interesante në Republikën e Shqipërisë. Magjepsëse për nga numri dhe befasia që ndodh aty. Brenda një strukture politike të mërzitur, brenda një raporti politik krejtësisht të qetë lind një protestë e kësaj përmase. Kjo tregon se në Shqipëri ekziston një pakënaqësi e jashtëzakonshme e qytetarëve për shumë çështje”, deklaroi Hoxha.
Sipas tij, gabim është që protesta të reduktohet vetëm në kundërshtimin e projekteve të caktuara.
“Nuk besoj që është Sazani apo Zvërneci. Unë besoj që ka akumulim të ndjenjës protestuese te një numër i jashtëzakonshëm qytetarësh për çështje të ndryshme, të akumuluara me vite e dekada dhe të cilat klasa politike nuk ka filluar t’i adresojë”, tha ai.
Hoxha kritikoi ashpër sistemin politik në Shqipëri, duke thënë se qytetarët po përballen me mungesë të llogaridhënies dhe përgjegjësisë nga institucionet.
“Në Shqipëri është një demokraci e hakuar, e kapur dhe e manipuluar. Është krijuar një nomenklaturë politike e pozitës dhe opozitës dhe brenda saj ekziston një ballafaqim i ashpër formal, por që nuk adreson në tërësi nevojën për përgjegjësi dhe llogaridhënie që institucionet kanë ndaj qytetarëve. Kjo e ka pru këtë gjendje”, u shpreh ai.
Megjithatë, Hoxha nuk përjashtoi mundësinë që brenda protestës të ketë edhe interesa të ndryshme, por theksoi se asnjë organizim nuk mund të mbledhë mijëra qytetarë pa ekzistuar një pakënaqësi reale.
“A ka elemente të tjera? Mund të ketë çkado, edhe interesa të të tjerëve. Por sheshi nuk mbushet pa pasur atë energji. Kjo është e pamundur. Kur sheh aq shumë njerëz në rrugë, e kupton se ekziston një revoltë e akumuluar që nuk mund të shpërfillet”, deklaroi ai.
Analisti tha se Shqipëria ka nevojë për një riformatim të skenës politike, e cila sipas tij prej vitesh është dominuar nga përplasja mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.
“Është absolutisht e nevojshme që në Shqipëri të ribëhet pak koalicioni politik, i cili është hakuar nga të qenit vetëm për PD-në dhe PS-në. Kjo skenë politike ka mbetur peng i të njëjtëve aktorë dhe i të njëjtave logjika për një kohë shumë të gjatë”, tha Hoxha.
Ai shtoi se kryeministri Edi Rama ka përfituar politikisht nga rikthimi i Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike.
“Për Edi Ramën është e favorshme që Sali Berisha të kthehet në PD. Sepse nuk mundet me mujt dot. Mund të përplasen ditë e natë, por në fund ai e mund gjithmonë dhe është rehat në atë përballje politike”, deklaroi Hoxha.
Sipas tij, ajo që qeveria nuk e ka parashikuar është niveli i lartë i pakënaqësisë sociale dhe ekonomike te qytetarët.
“Edi Rama nuk e ka kalkuluar që ekziston një grumbull i madh qytetarësh që janë nervozuar me diçka shumë konkrete, siç janë çmimet. Shqipëria është transferuar prej vendit më të lirë në rajon, ndërsa tani është ndër më të shtrenjtat. Qumështi, mishi dhe djathi janë më të shtrenjtë se në vendet e tjera. Është krijuar një situatë ku njerëzit mendojnë ose të ikin në Gjermani, ose diku tjetër, ose të bredhin rrugëve duke kërkuar zgjidhje”, tha ai.
Hoxha parashikoi se energjia e krijuar nga protestat do të ndikojë edhe në të ardhmen politike të Shqipërisë.
“Skena politike do të transformohet si pasojë e kësaj energjie që është në rrugë. Nuk do të transformohet vetëm raporti me qeverinë, por edhe raporti me opozitën. Shpresoj që do të ketë një artikulim më të mirë politik të këtij grupi, i cili gradualisht mund të shndërrohet në një forcë politike që jep zërin e një Shqipërie ndryshe, që mbart më shumë përgjegjësi dhe llogaridhënie, të marrë nga poshtë dhe jo të transformuar në interes të elitave, siç kanë bërë dy taborët e deritanishëm”, deklaroi ai.
Në fund, Hoxha tha se nuk beson që beteja rreth Sazanit është thelbi i revoltës që po shfaqet në Shqipëri.
“Nuk besoj që Sazani është lufta më e mirë dhe as arsyeja kryesore e kësaj proteste. Pas saj qëndrojnë shumë më tepër pakënaqësi, probleme sociale dhe ekonomike, të cilat janë grumbulluar ndër vite”, përfundoi ai.
