Hoxha: Qeverisja lokale në Prishtinë është kthyer në anomali politike me kosto të lartë për qytetarët
Analisti politik Yll Hoxha ka vënë theksin mbi problemet strukturore dhe politike që e kanë përcjellë qeverisjen e Prishtinës, duke nënvizuar mungesën e harmonisë mes pushtetit lokal dhe atij qendror, si dhe kontrollin e dobët të ndërmarrjeve publike që ofrojnë shërbime bazike për qytetarët. “Prishtina, përveç këtyre ngatërresave politike, nuk ka asnjë moment qeverisje ku […]
Analisti politik Yll Hoxha ka vënë theksin mbi problemet strukturore dhe politike që e kanë përcjellë qeverisjen e Prishtinës, duke nënvizuar mungesën e harmonisë mes pushtetit lokal dhe atij qendror, si dhe kontrollin e dobët të ndërmarrjeve publike që ofrojnë shërbime bazike për qytetarët.
“Prishtina, përveç këtyre ngatërresave politike, nuk ka asnjë moment qeverisje ku qeverisja lokale dhe qeverisja qendrore janë në një harmoni. Kryesisht kanë qenë në disharmoni, përjashto Ramush Haradinajn si kryeministër kur është aprovuar ligji për kryeqytetin. Pjesa tjetër ka qenë konflikt,” tha Hoxha.
Ai kujtoi periudhën kur Prishtina ka funksionuar pa shumicë në Kuvendin Komunal, duke e cilësuar këtë si një precedent të rrezikshëm që ka degraduar në një “normalitet të dëmshëm”.
“Gjatë këtij konflikti ka pasur periudha me të cilat është instaluar një problem tjetër: mungesa e shumicës në Asamble. Kryetari ka udhëhequr pa Asamble. Kjo ka ndodhur për herë të parë me Shpend Ahmetin, në kohën kur kam qenë edhe unë në Asamble. Mendoj që është shndërruar tash në njëfarë normaliteti, i cili e ngatërron Prishtinën edhe më tutje.”
Hoxha theksoi se kjo gjendje ka ndikuar negativisht në efikasitetin e shërbimeve publike dhe në cilësinë e jetës së qytetarëve.
“Konfliktet për kontrollin e ndërmarrjeve, që lejohet politikisht, janë të mundshme sepse kanë ndodhur. Por ato kanë një kosto të jashtëzakonshme për jetët tona dhe për efikasitetin e shërbimeve.”
Si një nga anomalitë më të mëdha, Hoxha përmendi faktin që Prishtina nuk menaxhon vetë ujin dhe pastrimin e qytetit.
“Nuk është normale që furnizimi me ujë dhe pastrimi i qytetit të mos menaxhohen nga vet Prishtina. Ato kontrollohen nga ndërmarrje rajonale të cilat janë edhe në duar të disa komunave tjera. Prishtina është aksionari më i madh dhe sponsorizuesi kryesor sepse faturat i paguan qyteti, por shërbimet ndahen sipas tekës së menaxhmenteve që nuk i menaxhon Prishtina,” përfundoi Hoxha.















