Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha ka pritur në takim Izet Mexhitin, ku në fokus ishte pozita dhe të drejtat e shqiptarëve në Maqedonia e Veriut.
Përmes një postimi në Facebook të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë thuhet se Hoxha theksoi rëndësinë e unitetit, duke deklaruar se “askush nuk na ndan, asgjë nuk na përçan”, dhe nënvizoi se ajo që i bashkon shqiptarët është më e fortë se çdo dallim.
Ai bëri të ditur se takimi me Mexhitin, i cili drejton Komunën e Çairit dhe është pjesë e koalicionit VLEN, ishte i pari, por përmbajtësor, ku u diskutuan çështje me interes të ndërsjellë, veçanërisht avancimi i të drejtave të shqiptarëve në vend.
Hoxha theksoi se këto të drejta janë të garantuara me Kushtetutë dhe ligjet në fuqi, por kërkojnë angazhim të vazhdueshëm për t’u mbrojtur dhe zbatuar plotësisht, si në funksion të barazisë dhe përfaqësimit të drejtë, ashtu edhe për forcimin e demokracisë dhe karakterit multietnik të shtetit.
Ai paralajmëroi se përgjegjësia bie mbi vetë faktorët politikë shqiptarë nëse nuk ruhen arritjet, si përdorimi dhe zhvillimi i gjuhës shqipe apo përfaqësimi adekuat në institucione.
Sipas Hoxhës, Mexhiti dhe koalicioni VLEN janë të angazhuar për të mbrojtur dhe avancuar më tej këto të drejta, duke garantuar barazi dhe zhvillim në të gjitha sferat e jetës publike.
Në fund, ministri apeloi për më shumë dialog dhe bashkëpunim mes palëve, duke theksuar se nevojiten më pak fjalë dhe më shumë veprime për të forcuar marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut dhe për të avancuar rrugën e përbashkët drejt integrimit evropian.