Analisti Ylli Hoxha ka vlerësuar se zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për transferimin e tokës te Manastirit i Deçanit është i domosdoshëm që Kosova t’i hapë rrugën anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Hoxha ka thënë se edhe pse të hidhëruar për padrejtësinë në sistemin juridik vendas, është koha për t’u përqendruar në gjetjen e mënyrave për të tejkaluar këtë problem dhe për të ndjekur rrugën drejt integritetit evropian.

“Sado të hidhëruar që mund të dalim në si kosovarë mbi këtë padrejtësi që na është bërë në sistemin juridik tonin, nuk na ka bërë askush tjetër këtë. Është e pa arsyeshëm që të diskutohet më, ne vetëm duhet ta gjejmë mënyrën sesi ta kalojmë sa më shpejt këtë vendim dhe ti japim rrugë anëtarësimit që po e shoh si lajm të mirë, që burimet e brendshme të Këshillit të Evropës flasin që Kosova ka shanse reale që në maj të këtij viti ta bëjë hapin kryesor drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës që është hap kardinal për ne si shtet. Tash me qu poshtë anëtarësimin në KiE sepse këndej jemi të hidhëruar me sistemin tonë juridik nuk mendoj që është e arsyeshme”, ka deklaruar Hoxha.