Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka kërkuar zyrtarisht që konventa për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë, e planifikuar të mbahet të hënën, të shtyhet të paktën deri të dielën e ardhshme.
Përmes një deklarate të publikuar në profilin e tij në Facebook, Hoxhaj tha se një parti serioze nuk mund të mbajë një proces kaq të rëndësishëm brenda një afati kaq të shkurtër.
Sipas tij, shtyrja e konventës do t’u jepte kohë anëtarëve dhe delegatëve që të njihen me kandidaturat dhe platformat e tyre politike, veçanërisht pas zhvillimeve të fundit që ai i cilësoi si “të befasishme”.
“Konventa e PDK-së për të zgjedhur kryetarin e partisë duhet të shtyhet, sepse një parti serioze nuk mund të mbajë një konventë politike dhe përmbajtësore në një kohë kaq të shkurtër. Kërkoj nga Kryesia e PDK-së shtyrjen e Konventës për të paktën deri të dielën e ardhshme, sepse kështu do u jepej mundësia anëtarësisë dhe delegatëve të njihen me kandidaturat dhe platformat për zhvillimin e partisë dhe për çështje serioze që prekin vendin. Kjo do ta rriste cilësinë e kandidaturave dhe konkurrencën ndërmjet platformave, pasi zhvillimet e fundit kanë qenë të befasishme.