Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se mosliberalizimi i vizave është i ndërtuar mbi paranoja dhe paragjykime.

Përmes një postimi në Facebook, Hoxhaj ka thënë se udhërrëfyesi është mjerim politik.

“Mjegulla evropiane e krijuar për liberalizimin e vizave është një koncentrat hipokrizie dhe diskriminim i ndërtuar në paranoja dhe paragjykime! Disa herë Komisioni dhe Parlamenti Evropian nga viti 2018 kanë konfirmuar që Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret!”, ka shkruar ai në rrjetin social Facebook.

Ndërsa, të hënën e 27 qershorit, në një intervistë për Syri TV, Kryeministri Kurti ka thënë se nuk ka as arsye e as shpjegim lidhur me mosliberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Teksa është pyetur se a ka ndonjë arsye tjetër përveç kritereve të plotësuara, a është një kusht politik në raport me marrëveshjet me Serbinë, Kurti ka thënë se kjo më shumë ka të bëjë me imazhin e dikurshëm të Kosovës.

“Nuk kam marrë asnjë shpjegim pse deri më sot nuk janë liberalizuar vizat kur dihet se i kemi plotësuar 95 kritere, më shumë se dyfishin se Shqipëria, Serbia, Mali i Zi e Maqedonia e Veriut dhe pikërisht në korrik bëhen 4 vjet që Komisioni Evropian për herë të dytë ka thënë që duhet të liberaliziohen vizat për Kosovën, por nuk ka arsye. Kur s’ka arsye nuk ka as shpjegim”, ka thënë ai.

“Besoj që më shumë bëhet fjalë për një imazh të kaluar të Kosovës që nuk ka qenë i mirë me raportet e progresit për korrupsionin dhe krimin e tash jemi përmirësuar shumë, por në të njëjtën kohë ka edhe elemente iracionale të shteteve të veçanta në BE që tremben për bindjen time pa arsye”, shtoi ai.

Ndërsa në samitin e BE-së, të mbajtur më 23-24 qershor, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka theksuar se mosliberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një padrejtësi e madhe.