Hoxhë Mazllami thotë se miqtë i kanë bërë surprizë “makinë modeste”
Hoxhë Mazllam Mazllami ka thënë se pasi ka pasur një darkë me miqtë për daljen e tij në pension, i kanë bërë dhuratë një veturë, e cila sipas tij, është modeste. “Pasi po iki në pension, ka qenë hedije prej shokëve miqve, të cilëve u ka rënë ndërmend të bëjnë një surprizë, makinë modeste, ajo […]
Hoxhë Mazllam Mazllami ka thënë se pasi ka pasur një darkë me miqtë për daljen e tij në pension, i kanë bërë dhuratë një veturë, e cila sipas tij, është modeste.
“Pasi po iki në pension, ka qenë hedije prej shokëve miqve, të cilëve u ka rënë ndërmend të bëjnë një surprizë, makinë modeste, ajo është modeste sepse është e vjetër, nuk është e re. Sikur që e kam të parën edhe ajo e dyta është makinë modeste, por dhurata është e shtrenjtë”, ka thënë ai në Debat Plus.
Sipas tij, dhurata ka qenë shprehje dashurie prej miqve, që prej shumë vjetësh ia kanë ndjekur predikimin dhe ligjëratat e tij.
Makina surprizë që i është dhënë Hoxhë Mazllamit është Mercedes-Benz E-Class i vitit 2013.
Në momentin e dhurimit të veturës, prezent ishte edhe kryetari i BIK-ut, Naim Tërnava.
Gazetari Valon Syla kishte bërë një video në lidhje me dhuratën ndaj Hoxhë Mazllamit, më pas ai ishte sulmuar mbrëmjen e së martës.
Ai nëpërmjet një postimi në Facebook, ka pretenduar se sulmi i bërë ndaj tij mund të ketë lidhje me reagimet e tij për Hoxhë Mazllam Mazllami dhe ngjarjeve në Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK).
“Sulmi me çdo gjasë ka të bëjë me reagimet e mia rreth ‘Mulla Mercedesit’ dhe ngjarjeve në BIK, që duket se nuk u ka pëlqyer fare, dhe kështu ka nxitur këtë komunitet të militantëve islamikë të organizojnë sulm fizik të paramenduar”, ka shkruar ai.
Ndër të tjera, Syla ka thënë se reagimet e tij përpos që ishin të faktuara, kishin dhe doza të theksuara të humorit, e kjo sipas tij, nuk po pranohet nga komuniteti islamik.















