Hysa: Kosova duhet të ruhet nga animet dhe ndarja trans-atlantike, të mos bëhet viktimë e ndonjë divorci SHBA-BE
Pas shpalljes së pavarësisë dhe konsolidimit të shtetësisë, një prej çështjeve që vazhdon të mbetet barrë e rëndë për Kosovën është gjetja e një zgjidhjeje finale që do të mbyllte problemin me fqinjin problematik, Serbinë. Për të ecur drejt një rruge për normalizim të raporteve, Bashkimi Evropian ka futur në obligime të dy shtetet, përmbushja […]
Pas shpalljes së pavarësisë dhe konsolidimit të shtetësisë, një prej çështjeve që vazhdon të mbetet barrë e rëndë për Kosovën është gjetja e një zgjidhjeje finale që do të mbyllte problemin me fqinjin problematik, Serbinë. Për të ecur drejt një rruge për normalizim të raporteve, Bashkimi Evropian ka futur në obligime të dy shtetet, përmbushja e të cilave vazhdohet të kërkohet me insistim. Perëndimi kërkon një marrëveshje kompromisi si e vetmja rrugë që mund të rezultojë e suksesshme në arritjen e synimit për normalizimin e raporteve.
Por çfarë s’guxon të jetë kompromisi për Kosovën? – Historiani, publicisti dhe ish-ambasadori i Kosovës në Mal të Zi, Ylber Hysa, në një intervistë për Gazetën Express ka thënë në një marrëveshje eventuale me Serbinë, s’duhet të jetë sfiduese e shtetësisë së Kosovës.
“Përfundimi i dialogut duhet të jetë një normalizim i marrëdhënieve në rajon, pra edhe i Serbisë me Kosovën dhe e kundërta! Por, ky normalizim nuk duhet të jetë në thonjëza; nuk duhet të jetë kontestues i sovranitetit e integritetit të Kosovës, funksionalitetit të saj, në aspektin negativ. Nuk duhet as të pengojë integrimin Euro-Atlantik të njëri-tjetrit”, ka thënë Hysa për Express.
Ish-diplomati kosovar thotë se finalja e dialogut me Serbinë duhet të jetë edhe integruese në respektimin e të drejtave të të gjithëve, në veçanti të pakicës serbe, duke ua njohur e garantuar të drejtat, liritë dhe nevojat e tyre “pa dëme kolaterale në rregullshmërinë dhe funksionalitetin e tërësishëm kosovar”.
Hysa potencon se gjithashtu marrëveshja duhet të jetë një shkarkim i barrës për sponsorët e pavarësisë së Kosovës si shtet që është prodhim i një uniteti funksional trans-atlantik./GazetaExpress















