Hyseni: “Grupi i Tiranës” në VV, duan konfrontim Kosovë-ShBA
Ish-kryenegociatori Skender Hyseni ka thënë se grupi i ashtuquajtur “Grupi i Tiranës” në Lëvizjen Vetëvendosje, ka për qëllim vënien e Kosovës në raporte konfrontuese me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Hyseni theksoi se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë mirë që e riaktualizoi këtë tendencë të tyre. Sipas Hysenit, ky “grup” dikton politikat qeverisëse […]
Ish-kryenegociatori Skender Hyseni ka thënë se grupi i ashtuquajtur “Grupi i Tiranës” në Lëvizjen Vetëvendosje, ka për qëllim vënien e Kosovës në raporte konfrontuese me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Hyseni theksoi se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë mirë që e riaktualizoi këtë tendencë të tyre.
Sipas Hysenit, ky “grup” dikton politikat qeverisëse të VV-së.
“Ka kohë që i ashtuquajturi ‘Grupi i Tiranës’ përpos politikave të VV-së, dikton edhe politikat qeverisëse në Kosovë. Krijimi dhe etablimi i politikave antiamerikane dhe antiperëndimore duket të jetë misioni i këtij “Grupi” që ka për qëllim vënien e Kosovës në raporte konfrontuese me SHBA-të dhe BE-në. Diçka që kishte filluar diku në vitin 2015, duket se është konsoliduar fort në politikat partiake të VV-së dhe ato të Qeverisë Kurti. Abdixhiku bëri mirë që e riaktualizoi këtë tendencë. Është detyrë e forcave politike opozitare në Kosovë të mos qëndrojnë indiferent ndaj këtyre përpjekjeve dhe politikave të këtij ‘Grupi’”, ka shkruar Hyseni në Facebook.
Ai thotë se më 2016, tre eksponentë të këtij “grupi” ishin deportuar nga Kosova, shkaku i shkeljes së Ligjit për qëndrim në Kosovë.
“Në vitin 2016, tre eksponentë të këtij “Grupi” u patën deportuar nga Kosova, me vendim të Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj, sepse kishin shkelur ligjin për qëndrim në Kosovë. Në atë kohë, unë isha ministër i Punëve të Brendshme. Drejtoria pë Migrim dhe të Huaj kishte kryer punën e vet në pajtim me ligjet në fuqi, pas asnjë ndëhyrjeje politike”, ka shtuar Hyseni.
E këtë, sipas tij, VV-ja e cilësonte se ishte “deportim politik”, dhe organizoi një aksion ndaj ndaj vetë Hysenit.
“Sidoqoftë, pak kohë më vonë, VV e cila e thoshte se “ishte deportim politik”, organizoi një sulm të turpshëm ndaj meje, në kohën time të lirë, ndërsa po lëvizja në veturën time private. Më 22 korrik 2016, ndërsa po ngisja veturën time private, një grup i VV-së, të cilët u identifikuan më vonë, por, çuditërisht, u liruan nga gjykata, hodhën ngjyrë në xhamin e përparme të veturës. Si pasojë, nga pamundësia e pamjes për të drejtuar automjetin tim nga ngjyra e hedhur, vetura ime në lëvizje u aksidentua me dy vetura të tjera. Pak orë më vonë, me një komunikatë, Vetëvendosja mori përgjegjësinë për sulmin ndaj meje. Dhe prap, çuditërisht, asnjë veprim ligjor nuk u ndërmor kundër VV-së, ndonëse sulmi kishte vë në rrezik jetë njerëzish!!!”, ka shkruar tutje Hyseni.
Hyseni theksoi se “Nuk kishte asnjë reagim apo dënim të këtij sulmi ndaj ministrit të Brendshëm, qoftë edhe nga një deputet i vetëm i Kuvendit të Kosovës. Ishte vetem KM Isa Mustafa që kishte dënuar sulmin”.
“Pse e bëra këtë digression? Assesi jo për t’u viktimizuar! E bëra thjesht për të vënë në pah dhe për të theksuar se e keqja vetëm sa vjen e trashet nëse nuk i ndërpritet rruga me kohë. Apo siç thoshte Nelson Mandela: ‘Budallenjtë shumohen kur njerëzit e mençur heshtin’”, ka përfundaur Hyseni.















