I arrestuari nga Specialja, Ismet Bahtijari deklarohet i pafajshëm
Ismet Bahtijari, i cili para disa ditëve ishte arrestuar nga Gjykata Speciale e Hagës, në lidhje me “krime kundër administrimit të drejtësisë”, sot është deklaruar i pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tij. Bahtijari akuzohet për përpjekje për t’i penguar personat zyrtarë në detyrat e tyre zyrtare përmes “kërcënimit të rëndë”, po ashtu për përpjekje […]
Ismet Bahtijari, i cili para disa ditëve ishte arrestuar nga Gjykata Speciale e Hagës, në lidhje me “krime kundër administrimit të drejtësisë”, sot është deklaruar i pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tij.
Bahtijari akuzohet për përpjekje për t’i penguar personat zyrtarë në detyrat e tyre zyrtare përmes “kërcënimit të rëndë”, po ashtu për përpjekje për t’i penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, duke marrë pjesë në veprimet e përbashkëta të një grupi dhe për kërcënim gjatë procedurave gjyqësore.
Ai është arrestuar më datën pesë tetor 2023 në Kosovë, nën pretendimet e Zyrës së prokurorit të Specializuar se janë përpjekur bashkë me të arrestuarin tjetër Sabit Januzi, të bindin një dëshmitar që të mos japë dëshmi në procedurat e Dhomave të Specializuara.
“Z. Bahtjari dhe z. Januzi u arrestuan në lidhje me krime kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë frikësimin gjatë procedurave penale, sipas nenit 387 të Kodit Penal të Kosovës (KPK) 2019, Kodi nr. 06/L-074, dhe pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare brenda kuptimit të nenit 401(1), (2) dhe (5) të KPK-së, në shkelje të nenit 15(2) të Ligjit nr. 05/L-53 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Gjykatësi i Procedurës Paraprake ka vendosur se ka dyshime të mirëbazuara se z. Bahtjari dhe z. Januzi u përpoqën të bindin një dëshmitar që të mos japë dëshmi në procedurat e Dhomave të Specializuara”, thuhet në komunikatën për media.















