Prokuroria Themelore në Gjakovë ka nisur hetimet ndaj një personi me inicialet Z.V., i cili dyshohet për posedim dhe transportim të paautorizuar të substancave narkotike.

Sipas njoftimit zyrtar, Z.V. është ndaluar nga Policia e Kosovës më 4 qershor 2025, rreth orës 19:45, në rrugën “Konferenca e Bujanit” në Gjakovë, gjatë një kontrolli rutinë. Gjatë kontrollit, në xhepin e pantallonave të tij janë gjetur nëntë qese plastike që përmbanin lëndë të dyshuar narkotike të llojit “kërpudha magjike”, me peshë të përgjithshme prej 28.44 gramësh.

Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh për të dyshuarin, i cili aktualisht ndodhet nën masën e ndalimit prej 48 orësh.

Z.V. po hetohet për veprën penale të “blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, sipas nenit 267, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria ka ritheksuar angazhimin e saj në luftimin e veprave penale dhe forcimin e sundimit të ligjit në vend.