Një person ka humbur jetën si pasojë e një sulmi me thikë në Gjakovë, ndërsa i dyshuari është vetëdorëzuar në polici.
Sipas Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:20 në rrugën “Mbretëresha Teutë”, pas një mosmarrëveshjeje mes dy personave të moshës madhore.
Viktima fillimisht është dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), e më pas është transferuar në Spitalin e Përgjithshëm në Gjakovë, ku ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve.
Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe, në konsultim me Prokurorin e Shtetit, kanë iniciuar rastin si “vrasje”.
Gjatë hetimeve janë identifikuar dy persona të dyshuar, ndërsa njëri prej tyre, me inicialet Q. S., është vetëdorëzuar në polici rreth orës 09:45.
Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari është ndaluar në mbajtje për 48 orë.
Policia ka bërë të ditur se në koordinim me Prokurorin e Shtetit po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.