I jepet lamtumira e fundit ish-presidentit Bujar Nishani

Ish-presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani, i cili ndërroi të shtunën e 28 majit, është varrosur të enjten nën ceremoni të larta shtetërore

Nën ceremoni të larta shtetërore ish-presidenti Bujari Nishani, është përcjellë për në banesën e fundit.

Në varrimin e tij kanë marrë pjesë liderë institucionalë nga Shqipëria dhe nga Kosova.

Ceremonia mortore në nder të ish-presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, u përmbyll me një fjalim lamtumirës nga presidenti Ilir Meta.

“Ai çmoi përulësi në komunikimin njerëzor, tipare që i mbetën të pandryshuar gjithë jetën. Si Kryetar i Shtetit, ai punoi me përkushtim të rrallë në mbrojtje të Kushtetutës”, ka thënë Meta.

Gjatë ditës, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, bëri homazhe në hollin e  presidencës shqiptare në nder të ish-presidentit Nishani, pak çaste para se të nisen për në ceremoninë e varrimit.

Ndërkaq, dy qershori është shpallur ditë zie në Shqipëri, dhe me vendim të qeverisë, flamuri do të ulet në gjysmështizë në të gjitha institucionet publike, në nder të ish-kreut të shtetit.

 

 

Ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, ndërroi jetë të shtunën e 28 majit në një spital gjerman, ku edhe po trajtohej për sëmundjen e tij.

Më 24 korrik 2012, Nishani ishte betuar në Kuvendin e Shqipërisë si President i Republikës, ndërsa mandatin e tij e kishte përmbyllur më 24 korrik 2017.

Ndryshe, Nishani ishte presidenti i pestë i Shqipërisë pas ardhjes së demokracisë në Shqipëri, i cili karrierën e tij e kishte filluar më 1991 duke u anëtarësuar në Partinë Demokratike.

Në vitin 2001, ishte Sekretar i Degës së Partisë Demokratike për Tiranën.

Në vitin 2003, ishte zgjedhur anëtar i Këshillit Bashkiak të Bashkisë së Tiranës nga lista e Partisë Demokratike.

Në vitin 2005, ishte zgjedhur anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe më pas anëtar i Kryesisë Qendrore të kësaj partie.

Në korrik të vitit 2005, zoti Nishani ishte zgjedhur deputet në zonën elektorale 34 në Tiranë si përfaqësues i Partisë Demokratike.

Nga marsi 2007 deri në shtator 2009 ai mbajti portofolin e Ministrit të Brendshëm.

Ndërsa nga shtatori 2009 deri në prill të vitit 2011 kreu detyrën e Ministrit të Drejtësisë, për t’u rikthyer përsëri në prill të vitit 2011 si Ministër i Brendshëm, detyrë të cilën e mbajti deri në qershor të vitit 2012.

Shija e redaktorit

Votohet buxheti për vitin 2025

Me pesë vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Komisioni parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere ka votuar buxhetin për vitin 2025. Buxheti prej 3.6...

Trump, presidenti i ri i SHBA-së

Kandidati i republikanëve, Donald Trumpit është fituesi i zgjedhjeve presidenciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës . Ai ka tejkaluar pragun prej 270 vendeve të...

Haradinaj bën homazhe pranë shtatores së Zahir Pajazitit: Ishte ndër...

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe pranë shtatores së heroit të kombit, Zahir Pajaziti në Prishtinë në ditëlindjen...

Të fundit nga rubrika