Hapat e çojnë drejt një vendi që i rikthen momentet më të tmerrshme të jetës.

Në këtë shtëpi në Kaliqan të Istogut, Gani Rugova humbi 8 anëtarë të familjes, që ia vranë forcat serbe më 13 prill të 1999-së.

Në mesin e trupave që Rugova i pa të vdekur, ishin edhe dy prindërit e tij.

“Mbërrina tek shtëpia, hyra brenda, i pashë viktimat. Mundësia për me i tërheq ose me i varros ka qenë pothuajse e pamundur se ka qenë një rrezik i madh, kishim fëmijë të vogël shumë diku 4, 5, edhe i kemi lënë ashtu”, ka thënë Gani Rugova, Familjar i viktimave.

Shtëpia u dogj, e bashkë me të edhe trupat e të gjithë atyre që ishin brenda saj.

Andaj kur ai u kthye sërish, krejt çka gjeti ishin eshtrat e familjarëve të tij.

“Më pas, jemi ardh, eshnat janë kanë atë, janë kall aty, i kanë djeg aty, edhe eshtrat i kemi mbledh edhe i kemi varros këtu. Ka qenë shumë e vështirë, kanë qenë edhe disa, nuk kemi prit. Kemi shku me i qu fëmijët edhe me u kthy me i marrë prindt, por për fat të keq nuk i kemi gjet”, ka thënë Gani Rugova, Familjar i viktimave.

Qindra njerëz përpos familjes Rugova kërkuan shpëtim, e me dyer të hapura në shtëpinë e tij në Kaliqan i kishte pritur Milazim Metaj.

“Tulifar lloj të granatimeve, këtu kam pas të strehum diku 140 anëtarë të familjes brenda shtëpive, familja Rugova nga Xërxa, Imer Rugova dhe Mihane Rugova, i kanë vra këtu, pastaj i kanë djeg trupat e tyre, pastaj i kanë djeg shtëpitë, e kanë vjedh”, ka thënë Milazim Metaj, Banor i fshatit Kaliqan.

Ndonëse kanë kaluar 27 vite nga ajo kohë, masakra që ndodhi në këtë fshat rrallë përmendet.

Me insistimin e banorëve të fshatit u vendos një pllakë që përkujton 3 dëshmorë e dhjetëra martirë të rënë.

Kjo situatë i ka prekur thellë familjarët e viktimave.

“Një neglizhencë shumë e madhe, kemi insistu gjithmonë që kjo me u përfshi në masakrat e Kosovës. Në Skënderaj është mbajt një tubim për të gjitha masakrat e Kosovës, kam qenë i njoftum që me bë një resume për këtë masakër por nuk më kanë ftu. Dikush ka dasht qëllimisht me na anashkalu”, ka thënë Rexhë Arifaj, përfaqësues i fshatit.

Thirrje për njohjen e kësaj masakre kanë edhe zyrtarë të komunës së Istogut.

“Ftoj institucionet relevante, së pari komunën e Istogut, nivelin qendror, që të zbardhin në detaje, edhe për këtë masakër këtu, sepse në bazë të kësaj që kemi, sepse jo vetem 42 por ndoshta kalon edhe 50, të dokumentohet dhe t’i prezantohet institucioneve relevante”, ka thënë Enver Rugova, Kryesues i Kuvendit Komunal, Istog.

Ajo që mbetet peng për ata që humbën më të dashurit e tyre, është fakti se ende asnjë person nuk ka dal para drejtësisë sa i përket këtij rasti gjatë luftës në Kosovë.

“Pikërisht shkaku i këtyre viktimave civile, ka qenë edhe intervenimi i NATO-s”, ka thënë Gani Rugova, Familjar i viktimave.