“I kërkojmë ndjesë z.Jakup Krasniqi dhe familjes së tij për situatën e krijuar dhe e sigurojmë se një veprim i tillë është bërë pa dijeninë e Presidentes dhe pa autorizim paraparak të askujt nga ekipi i saj”.

Kështu ka reaguar Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Vjosa Osmani pasi Jakup Krasniqi në webfaqen e presidencës paraqitej si i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

“Presidentja Osmani dhe as stafi i saj politik nuk kanë qenë të njoftuar e as të konsultuar lidhur me ndërhyrjen në tekstin në uebfaqen e Presidencës së Kosovës sa i përket biografisë së ish-U.D.Presidentit dhe Kryetarit të Kuvendit, z.Jakup Krasniqi”, ka shkruar Kupina.

Më tutje ai  ka thënë se nuk kanë qenë të njoftuar për këtë ndërhyrje derisa theksojnë se nga nesër do të kërkohet hetim nga ana e Policisë së Kosovës, Njësia për Krime Kibernetike.

“Tashmë po hetohet momenti kur është ndërhyrë në tekst dhe nga kush. Rrjedhimisht, Presidentja Osmani ka kërkuar përgjegjësi të plotë për këtë rast dhe ndërmarrjen e menjëhershme të masave diciplinore për personat përgjegjës. Poashtu, qysh nesër do të kërkohet hetim nga ana e Policisë së Kosovës, Njësia për Krime Kibernetike”, ka përfunduar ai.