I ndaluari për dhunë në familje dyshohet se u vetëvra në stacionin policor, suspendohen 3 zyrtarë policor në Suharekë
Një ngjarje e rëndë është shënuar në orët e para të mëngjesit në stacionin policor të Suharekës, ku dyshohet se një person i ndaluar ka kryer vetëvrasje brenda hapësirave të mbajtjes. Lajmin e ka konfirmuar kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Petrit Kryeziu, për Dukagjinin, i cili ka sqaruar se rasti po trajtohet si hetim […]
Një ngjarje e rëndë është shënuar në orët e para të mëngjesit në stacionin policor të Suharekës, ku dyshohet se një person i ndaluar ka kryer vetëvrasje brenda hapësirave të mbajtjes.
Lajmin e ka konfirmuar kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Petrit Kryeziu, për Dukagjinin, i cili ka sqaruar se rasti po trajtohet si hetim i vdekjes dhe se po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.
“Mund të konfirmoj që në orët e hershme të mëngjesit jemi njoftuar nga Policia e Kosovës specifikisht nga Drejtoria e Hetimit Rajonal që ka ndodh një rast ku dyshohet për vetëvrasje brenda Stacionit Policor në Suharekë në departamentin e ndalimeve sepse personi ka qenë në mbajtje për 48 orë me vendim të prokurorit të Prokurorisë Themelore të Prizrenit të Departamentit të Përgjithshëm. Bëhet fjalë për vepër penale të dhunës në familje ku dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj vajzës së tij. Për ne ka qenë person i njohur sepse ka disa raste, të regjistruara, shumë prej tyre dhunë në familje, edhe në prokurori dhe ka aktgjykime venduese. Ajo qa ka ndodhë është që dyshohet se ka vetëvrasje në bazë të informatave të deritanishme”, ka thënë ai.
Pas ngjarjes, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur një hetim të plotë. Si masë paraprake, IPK ka suspenduar përkohësisht tre zyrtarë policorë.
“Po ndërmarrim veprime hetimore…IPK ka dalë në terren dhe rasti po trajtohet si hetim i vdekjes. Ajo që duhet të konfirmoj është se IPK i ka suspenduar 3 zyrtarë përkohësisht por në aspektin penal nuk kemi ndonjë vendim sepse nuk kemi provë konkrete që e vërteton përfshirjen e zyrtareve përveç përfshirjeve se mund të ketë neglizhencë”, ka thënë Kryeziu.















