Kryetari aktual i Komunës së Istogut dhe kandidati i LDK-së, Ilir Ferati, ka komentuar rivalët e tij në garën zgjedhore, duke theksuar respektin ndaj secilit.
Ferati u shpreh se ka njohje personale dhe respekt për Ali Nimanajn, me të cilin kanë bashkëpunuar në koalicionin me PDK-në gjatë katër viteve të fundit.
Për Ukë Blakajn nga AAK-ja, ai tha se e njeh si biznesmen të diasporës dhe vlerëson aftësitë e tij në biznes.
Ndërsa për Astrit Bujupajn e VV-së, Ferati theksoi njohjen e gjatë dhe marrëdhëniet e ngushta mes familjeve të tyre.
“Kam respekt për të gjithë. I njoh secilin personalisht. Me Ali Nimanaj Kemi qenë në koalicion me PDK-në për këto katër vjet që po i lëmë pas. Ukë Blakaj i AAK-së, është një biznesmen i diasporës, njihet për aftësitë e tij në të bërit biznes është djalë dëshmori ka respekt të veçantë në qytetin e Istogut. Njëjtë për Astritin e njoh moti, edhe familjen e tij prindi im ka pasur relacione të jashtëzakonshme me babin e tij. Kam respekt, në takime nuk i quaj kandidatë i quaj kolegë kandidat secili prej nesh prezantojmë idetë tona se qysh Istogu ka me dok në formën më të mirë të mundshme sipas nesh sigurisht qytetari do të vlerësojë njëjtë si në 2021-ën”, ka deklaruar Ferati.
Ai ka shtuar se Istogu nuk është bastion i verbër i bindjeve politike, por i punëve të mira të kryera.