Një 20-vjeçar është plagosur me armë zjarri në orët e para të mëngjesit të së shtunës në Ferizaj.
Policia ka njoftuar se rasti ka ndodhur rreth orës 03:40, në një parking në rrugën “12 Qershori”, ku një person ishte plagosur me armë zjarri dhe më pas ishte dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencën e Ferizajt.
Njësitet policore, së bashku me hetuesit dhe Forenzikën Rajonale, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer ekzaminimin.
Sipas veprimeve të para hetimore dhe këqyrjes së pamjeve nga kamerat e sigurisë, dyshohet se i plagosuri, derisa ishte duke lëvizur në parking, ka rrëshqitur dhe gjatë rënies i është shkrepur arma e zjarrit, të cilën dyshohet se e kishte në çantë. Si pasojë, ai është plagosur në këmbë.
Pas trajtimit fillestar në Emergjencën e Ferizajt, i plagosuri F.J., 20-vjeçar, është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë për trajtim të mëtejmë.
Gjatë kontrollit të çantës së tij, policia ka gjetur armën e zjarrit, si dhe një sasi të vogël të substancës së dyshuar narkotike, marihuanë.
Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka autorizuar ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore.