I vazhdohet paraburgimi Pjetër Shalës

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim që Pjetër Shalës t’i vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj të tjerë

Pjetër Shala

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim që Pjetër Shalës t’i vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj të tjerë.

Me vendimin e 19 janarit 2024, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, ka urdhëruar Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe mbrojtjen e viktimave që nëse dëshirojnë t’i paraqesin parashtrimet e veta për shqyrtimin e radhës të paraburgimit, duhet ta bëjnë jo më vonë se 5 marsi 2024.

Ky është shqyrtimi i 15-të i paraburgimit për të akuzuarin Shala, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Për arsyet e lartpërmendura, Paneli përmes kësaj: a. URDHËRON vazhdimin e paraburgimit të të akuzuarit; b. URDHËRON ZPS-në dhe avokatin e viktimave, nëse ai dëshiron, të paraqesë parashtresa për shqyrtimin e radhës të paraburgimit të të akuzuarit jo më vonë se e marta, 5 mars 2024; c. URDHËRON mbrojtjen që të paraqesë parashtresa për shqyrtimin e radhës të paraburgimit të të akuzuarit, nëse dëshiron, jo më vonë se e marta, 12 mars 2024; dhe d. PËRCAKTON që çdo përgjigje, nëse ZPS-ja dhe mbrojtësi i viktimave dëshirojnë, do të dorëzohet jo më vonë se e premtja, 15 mars 2024”, thuhet në vendimin për shqyrtimin e 15-të të paraburgimit për Pjetër Shalën.

Në parashtrimet e veta, ZPS-ja kishte pohuar se vazhdimi i paraburgimit për të akuzuarin është i domosdoshëm, pasi, sipas tyre, asnjë rrethanë nuk ka ndryshuar që nga vlerësimi i panelit për shqyrtimin e 14-të të paraburgimit për Shalën.

“Më konkretisht, ZPS rikujton se në vendimin e tij të katërmbëdhjetë për paraburgimin, trupi gjykues konstatoi se ekzistonte një dyshim (mirë) i bazuar se i akuzuari ka kryer krime të shumta brenda juridiksionit të DhSK-së dhe pohon se asnjë rrethanë që mund ta ndryshojë këtë përcaktim nuk është përfshirë që atëherë”, thuhet në vendim.

Tutje, në vendim thuhet se ZPS-ja mban qëndrimin se rreziku i arratisjes ekziston, duke argumentuar se gjykimi është drejt fundit dhe kjo gjë e rrit edhe me tej rrezikun.

“ZPS-ja përsërit më tej argumentin e saj se të gjitha këto rreziqe mund të zbuten vetëm me mbajtjen e vazhdueshme të të akuzuarit në objektet e paraburgimit të DhSK-së, ku komunikimet dhe lëvizja e tij mund të monitorohen dhe kufizohen në mënyrë efektive”, thuhet në vendim.

Ndërsa, mbrojtja e Shalës ka pohuar se vazhdimi i paraburgimit për të akuzuarin është i paligjshëm.

“Mbrojtja pohon se vazhdimi i paraburgimit të të akuzuarit është i paligjshëm dhe se lirimi i tij me kusht është i garantuar, pasi ZPS nuk ka dëshmuar se paraburgimi i tij mbetet i nevojshëm në kohën e shqyrtimit”, thuhet në vendim, duke theksuar që në parashtrimet e veta mbrojtja ka thënë se duhet të merret parasysh sjellja e mirë e të akuzuarit në objektet e paraburgimit të DhSK-së.

Mbrojtja ka pohuar se i akuzuari nuk ka rrezik të ikë dhe se konkludimi i ZPS-së lidhur me këtë çështje, sipas tyre, është spekulativ dhe i pabazuar.

“Lidhur me rrezikun e arratisjes, mbrojtja pohon se i akuzuari nuk rrezikon ikjen dhe kujton gjetjen e Panelit në vendimin e katërmbëdhjetë të paraburgimit në lidhje me këtë. Ajo shton se parashtresa e ZPS-së se mbyllja e afërt e procedurës rrit rrezikun e ikjes së të akuzuarit është e pabazuar, spekulativ dhe nuk mund të përbënte një rrethanë ndërhyrëse që do të ndryshonte gjetjen e mëparshme të Panelit”, thuhet tutje.

Në lidhje me masat alternative të paraburgimit, mbrojtja ka parashtruar se ekzistojnë masa të përshtatshme si ajo e arrestit shtëpiak.

“Në lidhje me masat alternative të paraburgimit, mbrojtja parashtron se ekzistojnë masa të përshtatshme dhe duhet të merren parasysh, si arresti shtëpiak në rezidencën e të akuzuarit në Belgjikë, moskontakt me dëshmitarët dhe viktimat, pa qasje në telefon dhe internet, përveç në prani të mbikëqyrësit të tij me kusht, dorëzimin e të gjitha dokumenteve të udhëtimit dhe raportimin ditor”, thuhet në vendim.

Në vendimin e saj, gjykatësja Veldt-Foglia ka rikujtuar se Paneli edhe më parë ka gjetur se i akuzuari nuk ka rrezik që të ikë dhe se argumentimi i ZPS-së që ekziston rreziku i arratisjes, pasi procedura është drejt fundit, sipas tyre, nuk është rrethanë mjaft e fortë dhe bindëse që të ndryshohet konstatimi.

“Kolegji mbetet i bindur se i akuzuari nuk është në rrezik ikjeje dhe se një rrezik i tillë, edhe nëse ekziston, mund të zbutet në mënyrë adekuate nga kushtet që do t’i vendosen në pajtim me nenin 41 (12) të Ligjit dhe Rregulli 56 (5) i Rregullave”, thuhet në vendim.

Mirëpo, Paneli ka vërtetuar se ekziston rreziku që i akuzuari të pengojë procedurën penale, duke u bazuar në deklaratat kërcënuese që, sipas tyre, i akuzuari i kishte bërë në vitin 2016 dhe 2019.

“Paneli më parë ka vërtetuar se ekziston rreziku që i akuzuari të pengojë procedurën penale, sipas nenit 41 (6) (b) (ii) të Ligjit, bazuar në faktorët dhe rrethanat në vijim: (i) i akuzuari ka bërë deklarata kërcënuese në vitin 2016 dhe 2019 [REDAKTUAR]; (ii) identitetet e (të gjithë) dëshmitarëve të ZPS-së janë të njohura për të akuzuarit; (iii) Dëshmitarët e ZPS-së kanë dëshmuar dhe janë paraqitur prova shtesë para mbylljes së rastit të ZPS-së, duke përfshirë provat potencialisht inkriminuese; dhe (iv) ekziston një klimë e përgjithshme dhe e vazhdueshme e frikësimit të dëshmitarëve në Kosovë”, thuhet në vendim.

Ndërsa, sa i përket kërkesës për lirimin me kusht nga mbrojtja, Paneli ka theksuar se monitorimi i të akuzuarit mund të bëhet vetëm në objektet e paraburgimit në DhSK, duke theksuar se paraburgimi i të akuzuarit do të rishikohet çdo dy muaj ose sapo të shfaqet ndryshim i rrethanave.

Shija e redaktorit

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Pjesëtarët e FSK-së marrin pjesë në aktivitetin humanitar të dhurimit...

Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar aksionin humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Këtij aktiviteti...

“Të gatshëm për zgjedhje”, gjithçka nga takimi ndërmjet Kurtit e...

Një darkë pune u zhvillua të hënën në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi. Në këtë...

Të fundit nga rubrika