Ia vranë tre djemtë, Elshani: Kërsitnin alltitë, u dëgju bërtima e tyre në qiell
Daut Elshani është babai i tre të djemve të vrarë në fshatin Saradran, në maj të vitit 1999. Gjatë ditës së djeshme përfundoi procedura e provave ndaj të akuzuarit Ekrem Bajroviq, i akuzuar për krime lufte në Kosovë në vitet 1998-1999, në Istog dhe në fshatrat përreth. Dosja e prokurorisë thotë se Bajroviq ka kontribuar […]
Daut Elshani është babai i tre të djemve të vrarë në fshatin Saradran, në maj të vitit 1999.
Gjatë ditës së djeshme përfundoi procedura e provave ndaj të akuzuarit Ekrem Bajroviq, i akuzuar për krime lufte në Kosovë në vitet 1998-1999, në Istog dhe në fshatrat përreth.
Dosja e prokurorisë thotë se Bajroviq ka kontribuar në aplikimin e masave represive të vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës dhe trajtimit në mënyrë çnjerëzore të popullatës civile.
86-vjeçari Daut Elshani dje i dha gjykatës 3 fotografi të djemve të tij të vrarë në fshatin Staradran, në maj të vitit 1999, e për të cilën thotë se atë ditë kur djemtë e tij janë vrarë, i akuzuari ka qenë i armatosur në atë vend, atë ditë.
Në një intervistë për emisionin “Rreth e Rrotull”, Elshani tregon më shumë për ditën e 8 majit të vitit 1999.
“Ekrem Bajroviq, është krimineli i luftës, masakrës e i rrahjeve, nëse s’pranon që mi ka vra djemtë le t’mkallzon kush m’i ka vra, kujt i pata borxh,” u shpreh Elshani.
Teksa tregon se gjatë ditës së djeshme e pa Ekremin në gjykatë, por që nuk mund t’ia lëshonte sytë.
“Kur e pash Ekrem Bajroviq-in, skisha çka me bë, se s’kom mujtë as me e kqyr në sy, unë kam thënë edhe më parë në gjykatë, kam thënë që ky e din që mi ka vra djemtë, nëse se pranon le të tregon se kush m’i ka vra.”
Tutje 86-vjeçari tregon se deri më 6 maj kanë qëndruar në shtëpinë e tyre në Saradran dhe si ka ndodhur masakra.
“Na familja jonë Elshant kemi qenë deri më 6 në shpi, unë jom kon n’shpi tu nejtë, ka ardh Avdyl Mulliqi, qohu se erdhen ushtria, jemi dalë e kam pas traktorin e gatshëm, me familje jom dal e kemi ra në lug (më poshtë), 20-25 familjarë i kam pas në traktor temin, jemi nis me shku poshtë në rrafsh te refugjatët, aty na kanë rrethu dhe i kan mbledhë ushtria njerëzit na kan bë në livadh tubë, e tha serbi kush din me fol serbisht e më tha kallzoju popullit edhe na kemi fëmijë jepjuni me hongër, e tha gjuajini thika alltija çka keni, u çu tha dhezni traktorat e kerret e delni te shkolla te rruga për me shku për Shqipni.”
Elshani thotë se qëndruan nga 7 deri më 8 maj aty ku i mblodhën serbët.
“Qaty kemi nejtë me 7 maj, deri më 8, e më 8 o ardh ushtria paramilitarve e Banjaci (një polic serb), polic te fmija e gruja ime e më tha çka bën ti me t’i vra djemtë i thash s’kom çka me t’bo hak s’ta kam,” shtoi Elshani.
E data 8 maj ditë kjo që mbetën të vrarë gjithsej 5 familjarë të Daut Elshanit, ai tregon që kishte parë me sytë e tij teksa ia rrahnin djemtë.
“Më 8 maj than dhezini traktorat me shku po këta e kishin qëllimin me na zhdryp e me na vra, ky polici Banjaci, këta kushërinjtë i kan nal para meje e kur kam mbrri mbas tyne o ardh bash ky Banjaci që është serb, i kan marrë djemtë i kan zhdryp mu s’më kan lënë, tre djemtë, vllaun e djalin e vëllaut, Avdullahin, Naimin, Muhajdinin, Shemsedinin edhe Nexhmedinin m’i kan marrë prej traktorit e i kan shti në oborr, ka qenë një derë e qame me drrasa e kam nejtë 40 minuta aty i kam pa tu m’i rreh djemtë, kanë qenë të pshtetun për mulliri,” tregon Elshani.
Ndërsa për Ekrem Bajroviq-in i akuzuar për krime lufte në Kosovë në vitet 1998-1999, në Istog dhe në fshatrat përreth, Elshani thotë se e ka parë të armatosur.
“Ky Ekremi ka qenë i armatosun deri në dhëmbë i përcjellke paramilitartë, se kam pa tu rreh, ky ka qenë krimineli kryesor për masakër, ka qenë si zëvendës I komandantit të policisë.”
“Veç që si kam pa tu i vra se kam qenë 50-60 metra larg, kërsitshin alltijat, ka një ka një, e u ni bërtima e tyne në qiell, e kam dhezë traktorin si i dektë e jam nis për Dobrushë, më kan kalu me xhip ata prapë, kanë qenë të lamë në gjak, e kam ditë që i kanë vra…” rrëfen Elshani.















