Në afërsi të Liqenit të Ujmanit, Ndërmarrja “Ibër Lepenci” ka kërkuar nga Policia e Kosovës asistim për të marr nën kontroll një objekt që është pronë e po kësaj ndërmarrjeje.

Dhe ashtu ndodhi.

Paraditen e sotme u morr nën kontroll një objekt që sipas subjekteve politike serbe në veri i përkiste “Kryqit të Kuq”.

Por, të kundërtën e thonë institucionet e Kosovës. Sipas tyre, objekti në fjalë i përkiste kategorisë së infrastrukturës kritike dhe ishte parë e nevojshme një reagim i tillë.

Kryeshefi i ndërmarrjes “Ibër Lepenci”, Faruk Mujka dha më shumë detaje për këtë aksion.

 “Ju e dini që infrastruktura e Ibër Lepencit, posaçërisht ajo të Liqeni dhe te diga janë infrastrukturë kritike dhe nisur nga shembulli i nëntorit të vitit të kaluar me sulmin terrorist në Varagë, normal ndjenja jonë për sigurinë e infrastrukturës tonë është në ngritje dhe meqë jemi përgjegjës atëherë kemi dëshirë dhe nevojë që ato të jenë në kontroll të Ibër Lepencit”, deklaroi Faruk Mujka.

Ai tha se nuk kanë ndonjë plan konkret për këtë objekt por tregoi se ai dyshohet që u përdorë nga strukturat paralele të Serbisë.

“Për neve është me rëndësi që të jetë në kuadër të Ibër Lepencit dhe me ketë të rritet siguria e infrastrukturës tonë e të rritet siguria e shërbimeve tona”, përfundoi Mujka.

Ndërkohë, Policia e Kosovës, respektivisht drejtoria e Policisë në veri, nuk tha se hasën në rezistencë dhe se aksioni përfundoi me sukses.

Për aksionin reagime pos Listës Serbe pati edhe nga Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, që e dënoi vendimin, duke thënë se kanë ndërprerë punën e “njërës prej organizatave humanitare më të vjetra dhe më të rëndësishme në botë”.

Edhe ditë më parë, institucionet e Kosovës morën nën kontroll objektin e Shërbimit Kombëtar të Punësimit në Mitrovicën e Veriut, si dhe mbyllën edhe hapësirat e palestrës sportive, muzeut të qytetit, Institutit për Kulturë, Rini, Sport dhe Shërbime të Specializuara, si dhe të Shoqatës Kulturore-Artistike Kosovski Bozhur. Aksionet vazhdimisht janë kritikuar nga autoritetet ndërkombëtare, se po bëhen pa koordinim.