Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës Sazan Ibrahimi, e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, respektivisht ministrin e Financave, Hekuran Murati i cili sipas tij nuk është duke bashkëpunuar si duhet me kryetarët e komunave.

Ibrahimi ka treguar se Asociacioni i Komunave të Kosovës, i ka drejtuar me dhjetëra kërkesa për takim me ministrin Murati, por kjo nuk ka ndodhur sa duhet.

“Ministri duhet të jetë më bashkëpunues edhe me kryetarët e komunave, i kemi dërguar me dhjetëra kërkesa për të diskutuar, kemi pasur probleme për investime kapitale, tani është momenti për dialog”, ka thënë ai.

Ibrahimi ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, të jetë më e hapur për dialog me komunat si dhe me segmentet të tjera shoqërore.

“Ne kërkojmë dialog, sepse qytetarët dhe nxënësit janë duke pësuar, situata mund të acarohet, sektorë të ndryshëm e teknik nuk kanë marrë paga. Këto janë pasoja, është dashtë me u mëndu këto”, ka thënë ai.

Tutje ai ka thënë se ligji i ri i pagave mund të mos e zgjidhë problemin sepse sipas tij ende nuk dihen vlerat e koeficienteve.