Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, ka thënë se ai dhe disa anëtarë të tjerë të partisë kanë marrë ftesa nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Sipas tij, ftesat lidhen me dyshime për 4 vepra penale: bashkim për veprimtari kundërkushtetuese me qëllim sulmin ndaj rendit kushtetues, rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare, sulm ndaj personit zyrtar dhe pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm.
Në një videoparaqitje në lidhje me këtë çështje, Simiq i cilësoi ftesat si presion ndaj përfaqësuesve të Listës Serbe. Ai pretendoi se ato vijnë sa herë që flet në Kuvend për gjendjen e serbëve në Kosovë.
“Si gjithmonë, do t’i përgjigjem ftesës, sepse nuk kam çfarë të fsheh. Nuk kam kryer asnjë vepër penale”, ka thënë ai.
Në materialin e publikuar prej tij nuk jepen hollësi se me cilat ngjarje konkrete lidhen dyshimet.
Pretendimet e Simiqit për motivet e ftesave nuk janë konfirmuar ende nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës./KP