Instituti Hulumtues për Ekonomi dhe Financa (IHEF) ka prezantuar strategjinë dhe planet e tij për të kontribuuar në zhvillimin ekonomik dhe prosperitetin e Kosovës.

Mejdi Bektashi, ekspert i jashtëm i institutit, në një konferencë për media, ka thënë se themelimi i institutit ka për qëllim të ndikojë në politikat ekonomike dhe sociale të vendit pa përfshirë politikën.

Bektashi ka theksuar se IHEF synon të jetë në shërbim të zhvillimit të Kosovës, duke përdorur politika ekonomike dhe strategji evropiane.

Ai ka theksuar se, me fillimin e vitit 2024, instituti do të fokusohet në hartimin dhe zbatimin e politikave që do të sjellin vendin më afër modeleve ekonomike evropiane.

“Fillimisht me lejoni t’ju njoftoj se kemi vendosur për të themeluar këtë institute për faktin se institutet e tilla kanë një ndikim shumë të rëndësishëm në ekonominë e një vendi, themelimi i këtij instituti është pikërisht arsyeja dhe qëllimi. Instituti do të jetë në shërbim të zhvillimit të Kosovës, “pa politikë”, por duke hartuar me politika ekonomike dhe strategji ekonomike me një kulture evropiane, ashtu siç na takon edhe ne si shtet dhe ku tanimë do të jemi shumë më afër politikave ekonomike dhe sociale evropiane, theksoj kushtimisht me fillimin i vitit 2024″, ka deklaruar Bektashi.

Drejtori ekzekutiv i IHEF, Fehmi Mehmeti, ish-guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), ka prezantuar një analizë të situatës ekonomike aktuale në Kosovë.

Mehmeti ka theksuar se vendi po ballafaqohet me sfida të rëndësishme si papunësia dhe deficit tregtar i lartë.

Ai ka propozuar disa hapa konkrete për t’i përmirësuar këto çështje, duke përfshirë krijimin e një zone ekonomike kombëtare dhe mbështetjen e investitorëve të huaj.

“Ne nuk kemi plan që të merremi me të kaluarën, por qëllimi është që t’i identifikojmë problem dhe t’ju japim zgjidhje problemeve. Dy sfidat që i ka pasur Kosova janë papunësi dhe deficiti i lartë tregtar. Prioritetet që duhet t’i ketë Qeveria për zgjidhjen e problemeve dhe sfidave, janë që qeveria për të pasur zhvillim ekonomik dhe rritje ekonomike, nevojitet që qysh në fillim t’i formojë grupet punuese në nivel nacional të ekspertëve të ekonomisë që të krijojnë strategjinë e zhvillimit ekonomik në nivel nacional”, ka deklaruar ai.

Mehmeti ka theksuar se për të tërhequr investime të huaja, Qeveria duhet të krijojë një zonë ekonomike dhe të përqendrojë buxhetin në këtë zonë për të krijuar kushte të favorshme për investitorët.

Ai gjithashtu ka sugjeruar krijimin e një Departamenti të veçantë për investitorët e huaj në kuadër të Gjykatës Komerciale për zgjidhjen e konflikteve në një afat të shkurtër.

Në lidhje me problemet e papunësisë dhe deficitin tregtar, Mehmeti ka propozuar që Qeveria të orientohet në zvogëlimin e importit duke prodhuar produkte zëvendësuese në zonën ekonomike.

“Në kuadër të strategjisë së zhvillimit ekonomik, nevojitet që të parashehë politika zhvillimore në fushën e krijimit të kushteve për investitorët potencialë. Politikat zhvillimore duhet të jenë të fokusuara në tërheqjen e investimeve të huaja. Për të tërhequr investime të huaja nevojitet që të shpallë një zonë ekonomike në nivel nacional, të orientojë buxhetin e shtetit në këtë zonë, në mënyrë që investitorëve t’u krijohen kushtet e favorshme për të investuar në Kosovë. Kjo zonë duhet të ketë zgjidhjen e problemit të infrastrukturës, sigurimin e rrymës 24 orë pa pasur nevojë investitorët të investojnë në fillim për gjenerator, t’u ofrojë investitorëve moratorium fiskal në bazë të vlerave, të cilat do t’i investojnë dhe numrit të të punësuarve që do t’i punësojnë, të subvencionojë për vitin e parë 50% të pagave të punonjësve për vitin e parë”, ka thënë ai.

Ai gjithashtu ka theksuar nevojën për krijimin e Diplomacisë Ekonomike për të promovuar zonën ekonomike tek investitorët e jashtëm.

Eksperti i jashtëm, Medain Hashani, ka theksuar se qëllimi i IHEF është të jetë orientues dhe rekomandues për qeverinë e Kosovës, duke e sfiduar atë të mos përfshihet në çështje politike dhe të krijojë një strategji të qëndrueshme të zhvillimit ekonomik.

“Vetë objektivi i Instituti është objektiv që ne nuk dëshirojmë që të merremi me çështje politike. Do të jetë orientues dhe rekomandues për qeverinë e Kosovës, qeveria duhet që t’i marrë për bazë. Rekomandimi kryesor është që qeveria e Kosovë t’i lërë anash inatet pulitke dhe t’i marrë për ekspertë për krijimin e një strategji të zhvillimit ekonomik. Është një vit sfidues për qeverie”, ka deklaruar Hashani.