Kosova do të përfshihet sot nga mot kryesisht i vranët dhe dukshëm më i freskët krahasuar me ditët e fundit, njofton Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK).
Sipas parashikimit, gjatë ditës priten intervale të shkurtra me diell, por në pjesën më të madhe të vendit do të dominojnë vranësirat. Po ashtu, parashihen reshje shiu, të shoqëruara herë pas here me zhvillime lokale të reve konvektive.
Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 9 dhe 13 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale do të arrijnë nga 17 deri në 20 gradë Celsius, duke shënuar rënie të ndjeshme në raport me mesataren e ditëve të fundit.
Era do të fryjë e lehtë deri mesatare nga veriperëndimi dhe veriu, me shpejtësi prej 1 deri në 11 metra në sekondë. Në intervale të shkurtra, era mund të jetë më e theksuar.
Sipas IHMK-së, kushtet biometeorologjike do të jenë kryesisht të favorshme për shumicën e qytetarëve. Rënia e temperaturave dhe freskia e ajrit pritet të ndikojnë pozitivisht te personat që kanë ndier lodhje nga temperaturat e larta të ditëve të kaluara, ndërsa personat me sëmundje kronike mund të kenë vetëm shqetësime të lehta për shkak të luhatjeve të motit.
Instituti vlerëson se reshjet e mundshme dhe temperaturat më të ulëta do të krijojnë kushte të favorshme edhe për sektorin e bujqësisë, pasi do të përmirësojnë lagështinë në shtresat sipërfaqësore të tokës dhe do të ulin stresin termik te bimët.
Këto kushte konsiderohen veçanërisht të dobishme për kulturat perimore, ndërsa fermerëve u rekomandohet që trajtimet për mbrojtjen e bimëve t’i planifikojnë gjatë intervaleve pa reshje dhe të monitorojnë zhvillimin e sëmundjeve kërpudhore pas rritjes së lagështisë.