Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se vendimet e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) për gjobitjen e mediave lidhur me shkeljet e pretenduara gjatë fushatave zgjedhore janë të kundërligjshme.
Kjo u tha ne konferencën për media ku edhe u publikua raporti “Kur rregullatori shkel rregullat: Kundërligjshmëria e gjobave të KPM-së ndaj shkeljeve të mediave”.
Betim Musliu, zv. drejtor ekzekutiv i IKD-së, tha se ky raport trajton vendimet sanksionuese të Komisionit të Pavarur të Mediave ndaj mediave, të marra pas funksionalizimit të KPM-së në maj të vitit 2026.
“Mirë se keni ardhur në këtë konferencë të cilën e organizon Instituti i Kosovës për Drejtësi, në të cilën do të bëjmë edhe prezantimin e raportit “Kur rregullatori shkel rregullat”. Raporti të cilin do ta prezantojmë sot, trajton vendimet sanksionuese të Komisionit të Pavarur të Mediave ndaj mediave, të marra pas funksionalizimit të KPM-së në maj të vitit 2026. Pas funksionalizimit, KPM-ja i ka mbajtur 14 mbledhje ku janë shqyrtuar 62 raste ligjore dhe ka shqiptuar sanksione në 59 prej tyre. Nga këtu, në 31 raste janë shqiptuar gjoba në vlerë totale prej 67,000 eurove, ndërsa në 28 raste janë shqiptuar vërejtje”, tha ai.
Musliu, ka treguar edhe shifrat sanksionuese ndaj mediave nga Komisioni i Pavarur i Mediave.
“Në dy mbledhjet e para që lidhen me proceset zgjedhore të vitit 2025, KPM-ja i ka shqiptuar 46 sanksione, prej tyre 21 gjoba në vlerë prej 43,000 eurove dhe 25 vërejtje. Në dy mbledhjet pasuese lidhur me zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026, KPM-ja i ka shqiptuar 13 sanksione, prej tyre 10 gjoba në vlerë prej 24,000 eurove dhe tri vërejtje”, tha ai.
Kurse, Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD, deklaroi se të gjitha vendimet për sanksionimin e mediave janë të kundërligjshme.
“A ka mundur KPM-ja ligjërisht t’i sanksionojë mediat në këtë mënyrë, në këtë kohë dhe mbi bazën e kësaj procedure? Përgjigjja e raportit është e qartë: Jo. Këto vendime të gjitha janë të kundërligjshme. Jo sepse mediat nuk mund të kenë kryer shkelje gjatë fushatës zgjedhore dhe jo sepse KPM nuk ka kompetencë që t’i mbikëqyrë ato. KPM ka kompetencë dhe duhet t’i mbikëqyrë mediat, sidomos gjatë fushatës zgjedhore. Megjithatë, kjo kompetencë nuk është e pakufizuar. Ajo duhet të ushtrohet brenda ligjit, brenda afateve dhe përmes një procedure të ligjshme, dhe që në këtë rast kjo nuk ka ndodhur”, tha ai.
Shala shtoi se nuk ka asnjë logjikë që rregullorja të jetë obligative për mediat dhe KPM të sanksionojë po me këtë rregullore ndërsa afatet e përcaktuara po në këtë rregullore mos të jenë obligative për këtë të fundit.
“Komisioni Pavarur i Mediave ka qenë jo funksional nga 21 janar 2025 e deri më 5 maj 2026, dhe kjo periudhë ka përparuar me një sërë cikle zgjedhore. Zgjedhjet e raundit të shkurtit, zgjedhjet lokale të 12 tetorit, balotazhi i 9 nëntorit, dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Pas funksionalizimit Komisioni i Pavarur i Mediave u është kthyer rasteve të cilat kanë ndodhur gjatë vitit 2025. Kjo vendimmarrje e jashtafatshme është vendimmarrje e kundërligjshme. Arsyetimi i Komisionit të Pavarur të Mediave ka qenë se këto afate janë vetëm udhëzuese. Nuk mund të ketë asnjë llogjikë juridike që materia e kësaj rregulloreje të jetë obligative ndërsa afatet të jenë vetëm udhëzuese. Nuk ka asnjë llogjikë që rregullorja të jetë obligative për mediat dhe KPM të sanksionojë po me këtë rregullore ndërsa afatet e përcaktuara po në këtë rregullore mos të jenë obligative për Komisionin e Pavarur të Mediave”, ka shtuar ai.
Ndërsa, Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i IKD-së, ka thënë se në mënyrë që ligjshmëria të shkojë deri ën fund do t’i shfrytëzojnë të gjitha mjetet juridike.
“Për rrjedhojë, që do të thotë të shkojë ligjshmëria deri në fund, ne do t’i shfrytëzojmë mjetet juridike derisa të vendoset ligjshmëria, qoftë nga Komisioni i Pavarur, qoftë nga Komisioni i Ankesave, apo drejtpërdrejt në Gjykatën Administrative. Sepse, po e përsëris, dështimet ose situata në të cilën kemi ardhur janë rezultat i faktit se Kuvendi i Kosovës nuk ka lejuar ose nuk i ka ushtruar kompetencat e tij për ta bërë, në radhë të parë, funksional Komisionin e Pavarur për Media”, ka shtuar ai./EO