IKD: Nga 444 të akuzuar për korrupsion më 2024 dhe 2025, vetëm 2.47% e tyre i takojnë profilit të lartë

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin “Performanca e drejtësisë në ndjekjen dhe gjykimin e korrupsionit”, ku paraqiten të dhëna të reja lidhur me ndjekjen dhe gjykimin e rasteve të korrupsionit gjatë vitit 2024 dhe nëntëmujorit të parë të vitit 2025, duke theksuar se rastet që përfshijë zyrtarë të profilit të lartë vazhdojnë të mbeten minimale.

Sipas raportit, bazuar në monitorimin e IKD-së, nga gjithsej 444 persona të akuzuar për korrupsion në vitet 2024-2025, vetëm 11 prej tyre janë identifikuar si zyrtarë të profilit të lartë, që përbën vetëm 2.47%, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD, gjatë prezantimit të gjetjeve të raportit, tha se nga 11 të akuzuarit për korrupsion të profilit të lartë, vetëm 3 prej tyre janë akuzuar duke mbajtur detyrën zyrtare, përkatësisht vetëm 27.2% janë akuzuar gjatë kohës sa kanë mbajtur detyrën zyrtare, ndërsa 72.7% e personave tjerë janë akuzuar vetëm pasi që janë larguar nga detyra zyrtare.

Ai theksoi se gjatë nëntëmujtorit e parë të vitit 2025, nga 4 zyrtarët e akuzuar, vetëm njëri akuzohet si ish-zyrtar, ndërsa tre të tjerët janë akuzuar për pozitat që ende mbajnë.

Sipas Shalës, situata qëndron ndryshe në vitin 2024 ku nga 7 të akuzuarit për korrupsion të profilit të lartë, asnjë prej tyre nuk është akuzuar gjatë kohës sa kanë mbajtur pozitën zyrtare, ashtu që të gjithë këta persona janë akuzuar si ish-zyrtarë.

Ai tha se Prokurori i Shtetit më 2024 dhe 2025, ka pësuar regres në trajtimin e numrit të lëndëve, për shkak se gjatë periudhës përkatëse nuk ka mundur të kryejë lëndë aq sa ka pranuar. Ai tha se Prokurori i Shtetit ka ngritur 293 më 2024, kurse në nëntëmujorin e parë të 2025-ës ka ngritur 151 aktakuza.

Sipas Shalës, ndjekja e korrupsionit të nivelit të lartë vazhdon të jetë e kufizuar dhe e orientuar drejt zyrtarëve të niveleve të ulëta dhe të mesme. Për më tepër, rastet e profilit të lartë, ai tha se aktivizohen vetëm pasi zyrtarët humbasin fuqinë e tyre politike, që nënkupton se sistemi i drejtësisë heziton të veprojë ndaj personave me ndikim të madh institucional ose politik.

Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të martën po organizon tryezë diskutimi me rastin e publikimit të raportit me titull: “Performanca e drejtësisë në ndjekjen dhe gjykimin e korrupsionit”, aktivitet në kuadër të “Javës Kundër Korrupsion 2025”, e cila organizohet nga Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile me moton “Bashkë kundër korrupsionit”. /BetimipërDrejtësi

Të fundit nga rubrika