IKD: Sistemi i drejtësisë vazhdon të mbingarkohet nga zvarritja e rasteve dhe shpërndarja joadekuate e prokurorëve

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se mosshpërndarja adekuate e prokurorëve dhe gjyqtarëve, zvarritja e rasteve civile dhe moskompensimi i palëve të dëmtuara në procedurat penale po vazhdojnë ta mbingarkojnë sistemin e drejtësisë në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Hulumtuesi i lartë në IKD, Gzim Shala, tha se në dy raportet e publikuara nga IKD-ja janë analizuar ngarkesa, efikasiteti dhe trajtimi i rasteve në sistemin prokurorial dhe gjyqësor.

“Në dy raportet e publikuara, Instituti i Kosovës për Drejtësi ka analizuar ngarkesën, efikasitetin, mënyrën e trajtimit të rasteve dhe çështje të tjera të cilat ndërlidhen me trajtimin e rasteve të krimeve të rënda dhe departamenteve të përgjithshme në sistemin prokurorial dhe gjyqësor. Në këtë drejtim, do të thotë në raport me ngarkesën, ajo çfarë është një çfarë është si gjetje e përbashkët në të dy departamentet dhe madje pothuajse edhe në prokurori edhe në gjykatë, është se numri i prokurorëve dhe i gjyqtarëve duhet, duhet të shpërndahet në mënyrë më adekuate. Kjo në atë mënyrë që edhe ngarkesa të jetë ekuivalente në mes të një prokurorie në raport me prokurorinë tjetër. Kjo për shkak se bazuar në gjetjet e Institutit të Kosovës për Drejtësi, ngarkesa nuk është e harmonizuar nga një prokurori në një prokurori tjetër. Nëse krahasohet ngarkesa me numrin e prokurorëve, për shembull, dalin dallime të theksuara në mesin e prokurorive. Dhe për këtë arsye, është e domosdoshme që kjo çështje të trajtohet nga Këshilli Prokurorial dhe Këshilli Gjyqësor në atë mënyrë që të ketë nje që përmes transferimeve të përkohshme apo të përhershme të ketë edhe një rishpërndarje në mënyrë që të arrihet një balancë në mes prokurorive sa i përket ngarkesës me lëndë”, tha ai.

Shala tha se sistemi prokurorial ende e mat efikasitetin vetëm përmes numrit të lëndëve të përfunduara dhe jo sipas peshës së tyre.

“Një aspekt tjetër që e kemi trajtuar është edhe çështja e efikasitetit. Përderisa Këshilli Gjyqësor i Kosovës e ka zgjidhur këtë çështje, në kuptim të asaj që ka miratuar një rregullore që efikasitetin e mat varësisht peshës së lëndëve të kryera, sistemi prokurorial ende e mat varësisht numrit të lëndëve të kryera, e jo secila lëndë e ka edhe peshën e njëjtë. Dhe që edhe kjo çështje mbetet për t’u trajtuar nga ana e sistemit prokurorial në atë mënyrë që të rishqyrtohet rregullorja për normat orientuese, në atë mënyrë që të klasifikohen lëndët dhe të njëjtat të vlerësohen sipas peshës që kanë”, tha ai.

Ai tha se pavarësisht rritjes së numrit të prokurorëve dhe gjyqtarëve, kohëzgjatja e trajtimit të rasteve vazhdon të mbetet problematike.

“Ideja është se kemi viteve të fundit, do të thotë, është ngritur do të thotë si niveli i prokurorëve po veçanërisht edhe niveli i gjyqtarëve. Megjithatë, ngarkesa ka mbetur në atë nivele problematike, për shkak se nëse e krahasojmë, do të thotë përkundër faktit që në fusha të caktuara është ulur ngarkesa prapëseprapë kohëzgjatja vazhdon të mbetet shumë e lartë. Megjithatë, jashtë këtyre dy raporteve, çështja e kohëzgjatjes së trajtimit të rasteve problematike mbetet në trajtimin e rasteve civile. Dhe kjo është problematika kryesore”, tha ai.

Sipas tij, administrata publike po kontribuon drejtpërdrejt në mbingarkimin e gjyqësorit duke mos i përmbushur obligimet ndaj qytetarëve.

“Tash përkundër faktit që kemi një numër të madh të gjyqtarëve dhe është ngritur numri i gjyqtarëve dhe vetë Sistemi Gjyqësor i Kosovës ka reflektuar përballë kësaj ngritje me ngritjen e numrit të lëndëve të zgjidhura, prapëseprapë kjo nuk ka qenë e mjaftueshme. Dhe kjo kryesisht për shkak të papërgjegjshmërisë së administratës publike e cila nuk ka përmbushur detyrimet ndaj qytetarëve ashtu siç është e obliguar, duke i detyruar qytetarët që të drejtën e tyre ta kërkojnë përmes rrugëve gjyqësore. Dhe kjo situatë e ka mbingarkuar sistemin gjyqësor, dhe që nuk ka arritur që të prodhojë drejtësi të shpejtë, nëse mundemi me thënë, përkundër rritjes së numrit të gjyqtarëve. Për këtë arsye, është shumë e rëndësishme që veçanërisht në rastet civile, në rastet administrative, të përshtatet edhe administrata në atë mënyrë që t’i japë kontributin e saj në zbatimin e ligjit duke mos detyruar qytetarët që të drejtën e tyre ta kërkojnë përmes rrugëve gjyqësore dhe që në atë mënyrë edhe qytetarët të zvarriten edhe të dëmtohet buxheti për shkak të shpenzimeve procedurale të cilat krijohen dhe edhe të ngarkohet gjyqësori”, tha ai.

Shala tha se IKD-ja ka gjetur se kompensimi i palëve të dëmtuara në procedurat penale ndodh vetëm në raste të rralla.

“Raporti i Institutit të Kosovës për Drejtësi ka gjetur se kompensimi në procedurë penale mund të themi se ndodh pothuajse vetëm përjashtimisht. Dhe kjo është një problematikë shumë e theksuar. Dhe është një problematikë shumë dimensionale. Problematika e parë është se pala e dëmtuar nëse nuk kompensohet, nëse nuk trajtohet dhe nuk vendoset lidhur me kërkesën pasurore juridike, atëherë i bie që pas përfundimit të procesit gjyqësor, për palën e dëmtuar procesi gjyqësor nuk ka përfunduar, mirëpo paraqet një fillim të ri për ta kërkuar të drejtën përmes një procedure të re gjyqësore në procedurë civile. Dhe që, do të thotë, kemi një zvarritje të skajshme, të theksuar në raport me palën e dëmtuar, e cila nuk mund ta realizojë kërkesën pasurore juridike”, tha ai.

Ai shtoi se mungesa e trajtimit të kërkesave pasurore-juridike po krijon barrë shtesë për gjyqësorin.

“Aspekti i dytë problematik është se gjyqësori, në vend që t’i trajtojë lëndët në kuadër të procedurës penale, i njëjti ngarkohet me një lëndë të re e cila duhet të shkojë dhe të zgjidhet në procedurë civile. Tash, nga ajo që kemi gjetur ne është se, përpos faktit që gjykatat nuk po vendosin në lidhje me kërkesën pasurore juridike, problematike është edhe fakti që nuk parashtrohet kërkesa juridike në procedurë penale nga ana e palëve të dëmtuara. Përkundër faktit që jemi në një procedurë penale, në raport me kërkesën pasurore juridike, gjykatat duhet të vendosin sipas dispozitave civile. Edhe që hyjnë në aplikim edhe parimi i disponibilitetit të palëve dhe që përfundimisht palët e dëmtuara duhet të paraqesin kërkesë pasurore juridike për t’i mundësuar dhe lehtësuar vendosjen në raport me këtë kërkesë nga ana e gjykatës. Dhe është shumë e rëndësishme që, veçanërisht në rastet kur palët përfaqësohen nga avokatët, ato të paraqesin një kërkesë pasurore juridike të detajuar, në mënyrë që t’i mundësohet edhe vendimmarrja në raport me këtë çështje gjykatës. Kjo në mënyrë që pala e dëmtuar ta realizojë të drejtën brenda procedurës penale dhe po ashtu mos të ngarkohet gjyqësori me dy lëndë të njëjtën kohë për çështjen e njëjtë”, tha ai.

Ai tha se në rastet kur nuk vendoset për kërkesën pasurore-juridike në procedurë penale, pala e dëmtuar detyrohet të nisë një proces të ri civil pas përfundimit të rastit penal.

“Tash procedura në këto raste, nëse nuk vendoset lidhur me kërkesën pasurore juridike, pasi që të përfundojë procedura penale, pra vetëm pasi vendimi që e përfundon procedurën penale merr formën e prerë, vetëm atëherë hapet rruga më pastaj për të kaluar në procedurë civile për ta realizuar dëmin që i është shkaktuar nga ajo vepër penale. Ndërkaq, rasti në procedurë civile që tash fillon është rast tërësisht i ri. Pra, kemi zhvillimin e një procedure penale dhe më pastaj pas përfundimit të procedurës penale duhet që të fillojë një proces nga zero në procedurë civile që i njëjti më pastaj të trajtojë vetëm aspektin e dëmit. Dhe që kjo përfundimisht është një zvarritje e madhe dhe një procedurë konsiderueshëm e gjatë në raport me palën e dëmtuar, mirëpo po e theksoj, është edhe ngarkesë edhe për vetë gjyqësorin për shkak se e krijon një lëndë që do të mund ta zgjidhte qysh në procedurë penale”, tha ai./EO

Shija e redaktorit

Komisionerja Kos: S’mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimi Europian, Marta Kos deklaroi se nuk mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën, duke e cilësuar vendin pjesë...

Kongresmeni amerikan Keith Self: Kosova aleate më besnike e SHBA-së

Kongresisti amerikan Keith Self e ka cilësuar Kosovën si një nga partnerët më të afërt dhe më besnikë të Shteteve të Bashkuara në Evropë. “Unë...

Manga Month – në Librarinë Dukagjini

Gjatë muajit maj, Libraria Dukagjini po shndërrohet në një pikë takimi për dashamirësit e kulturës japoneze përmes iniciativës “Manga Month”, e realizuar në bashkëpunim...

Të fundit nga rubrika