“Ikje e përgjegjësisë e gafë e madhe” – Opozita kritikon Kurtin për mospjesëmarrje në samitin e Tiranës
Disa nga deputetët e partive opozitare e kanë quajtur gabim të rëndë mospjesëmarrjen e kryeministrit Albin Kurti në samitin rajonal që u mbajt në Tiranë, ndërkaq kërkojnë nga ai të mos i ikë përgjegjësisë. PDK, LDK dhe AAK, kanë deklaruar se kryeministri Kurti është dashur të marrë pjesë në këtë samit, që për dy ditë […]
Disa nga deputetët e partive opozitare e kanë quajtur gabim të rëndë mospjesëmarrjen e kryeministrit Albin Kurti në samitin rajonal që u mbajt në Tiranë, ndërkaq kërkojnë nga ai të mos i ikë përgjegjësisë.
PDK, LDK dhe AAK, kanë deklaruar se kryeministri Kurti është dashur të marrë pjesë në këtë samit, që për dy ditë u mbajt në Tiranë.
Shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, konsideron se mungesa e Kurtit në këtë samit është ikje prej përgjegjësisë. Këmbëngul se Kosova është dashur të përfaqësohet në këtë samit.
“Samiti në Tiranë është një ngjarje e rëndësishme, jo vetëm për Ballkanin Perëndimor dhe shtetet pjesëmarrëse, mirëpo edhe për Kosovën. Mospjesëmarrja fizike është ikje prej përgjegjësisë, ikje prej ballafaqimit edhe fatkeqësisht prej argumenteve. Nuk duhet të frikohet zotri Kurti të ballafaqohet se e drejta është në anën e Kosovës në të gjitha aspektet dhe këtë e shoh një ikje prej përgjegjësisë për një ballafaqim që duhet të ndodhë për shkak se e ka fituar 50 përqindëshin dhe ky kryeministër e përfaqëson Kosovën dhe duhet ta përfaqësojë Kosovën në këtë forum”, ka deklaruar Tahiri për EO.
Po ashtu, edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, e quan joserioze mospjesëmarrjen fizike të Kurtit, ndërkaq thekson se nuk ka asnjë arsye që të mungonte në këtë samit.
“Është joserioze e para, e dyta nuk mund të mbizotëroje asnjë arsye tjetër për shkak të rëndësisë që ka edhe bashkëpunimi rajonal, por edhe interesin që e ka Kosova të jetë pjesë e forumeve të rëndësishme, të cilat kanë karakter ndërkombëtar edhe kur flitet sidomos për sigurinë dhe qasjet sigurisë që janë në interes edhe të rajonit, por edhe të mbështetjes ndërkombëtare, mbi të gjitha miqve të Kosovës, ata të cilët kanë kontribuuar shumë për lirinë dhe pavarësinë e saj”, ka deklaruar Zemaj.
Ndërsa, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, e quan gafën më të madhe të bërë nga Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti.
“Njëri nga lëshimet e mëdha edhe politike edhe ekonomike dhe në aspektin e përgjithshëm, imazh i keq për shtetin e Kosovës, ku në Shqipëri, në Tiranë, në këtë nivel të liderëve evropianë, kryeministri nuk merr pjesë. E tha edhe kryetari i PDK publikisht një lëshim i tij, ku diskutohet për fonde deri në një miliard, mosprezenca e ekzekutivit, e kryeministrit në këtë rast, është njëra nga gafat më të mëdha të kësaj qeverie që po ndodh realisht ditëve të fundit”, ka thënë Shala.
Kurti ka treguar arsyen se pse nuk mori pjesë në samitin për Ukrainën që u mbajt në Tiranë.
Përmes një postimi, Kurti ka thënë se përgatitjet dhe dakordimi për vizitën në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë ishin bërë në vitin e kaluar, dhe se sipas tij, për këtë arsye nuk ka mundur të marrë pjesë në këtë samit.
Kurti ka thënë se në konferencën e sotme në Tiranë ka theksuar mbështetjen dhe solidaritetin e Kosovës me Ukrainën dhe popullin e saj.















