IKSHPK: 10 raste me fruth vetëm gjatë javës së fundit

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se gjatë periudhës 16 prill – 24 gusht 2026, në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 147 raste me fruth.

Sipas IKShPK-së, ky numër përfaqëson më shumë se dyfishin e rasteve të konfirmuara gjatë tërë vitit 2025.

“Vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar 10 raste të reja”, thuhet në njoftimin e IKShPK-së.

Sipas komunave, numri më i lartë i rasteve është raportuar në Prishtinë me 49 raste, pasuar nga Fushë-Kosova me 35, Ferizaj me 13, Obiliqi me 9, Lipjani me 8 dhe Kaçaniku me 7 raste.

Në Vushtrri dhe Shtime janë raportuar nga 4 raste, në Skenderaj dhe Drenas nga 3 raste, ndërsa Gjilani, Gjakova, Shtërpca dhe Deçani kanë nga 2 raste.

Nga një rast është raportuar në Graçanicë, Mitrovicë, Podujevë, Suharekë dhe Viti.

Gjatë tri javëve të fundit, ekipet e vaksinimit në komunat me numrin më të lartë të rasteve të fruthit kanë intensifikuar aktivitetet, me ç’rast janë vaksinuar me MMR gjithsej 504 fëmijë që kishin vonesa në vaksinim sipas kalendarit të rregullt.

IKShPK ka rekomanduar që çdo person me simptoma të dyshimta të fruthit, përfshirë temperaturë të lartë, skuqje ose ndryshime në lëkurë, kollë, rrufë apo konjuktivit, të paraqitet menjëherë në institucionin më të afërt shëndetësor.

“Duke pasur parasysh infektueshmërinë e lartë të fruthit, rrezikun e përhapjes së tij në komunitet dhe komplikimet që shkakton fruthi, IKShPK u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe të sigurojnë vaksinimin sipas Kalendarit të rregullt të vaksinimit në qendrat e mjekësisë familjare.”

IKShPK ka theksuar se vaksinimi mbetet mënyra më e sigurt dhe më efektive për parandalimin e fruthit, uljen e përhapjes së sëmundjes në komunitet dhe mbrojtjen e shëndetit publik.

Shija e redaktorit

Tasholli: Prej 16 shtatorit, Kosova nuk do të jetë më...

Ismail Tasholli nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, në një lidhje direkte në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, ka folur pas konferencës së mbajtur...

Thaçi rrëfen prapaskenat e Rambujesë: Nuk isha i sigurt nëse...

Ish-presidenti i Kosovës dhe ish-drejtuesi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, ka rrëfyer në një intervistë të gjerë dhe ekskluzive në Debat Plus disa prej...

“Të jetoj i lirë” – Intervista e fundit e Thaçit...

Presidenti, Hashim Thaçi, do të jetë protagonist i një interviste ekskluzive në emisionin “Debat Plus” të TV Dukagjinit, e cila do të transmetohet nesër,...

Të fundit nga rubrika