IKSHPK: Ditëve të fundit, ndotje enorme nga tymtarët e Obiliqit – kërkohen masa urgjente
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), për nivelin e lartë të ndotjes së ajrit në vend, ka theksuar se sektori i energjetikës është përgjegjës për rreth 40% të emisioneve ndotëse. Sipas njoftimit, termoelektranat Kosova A dhe B, që përdorin thëngjillin si burim energjie, lëshojnë në atmosferë substanca të rrezikshme si ozoni (O3), oksidet […]
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), për nivelin e lartë të ndotjes së ajrit në vend, ka theksuar se sektori i energjetikës është përgjegjës për rreth 40% të emisioneve ndotëse.
Sipas njoftimit, termoelektranat Kosova A dhe B, që përdorin thëngjillin si burim energjie, lëshojnë në atmosferë substanca të rrezikshme si ozoni (O3), oksidet e azotit (NOx), dioksidi i squfurit (SO2) dhe grimcat e imëta PM10 dhe PM2.5.
Duke iu referuar raporteve të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK) dhe Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit (AMMK), IKSHPK thekson se lirimi i tymit dhe pluhurit nga ky sektor rrit ndjeshëm përqendrimin e grimcave të dëmshme në ajër, të cilat qëndrojnë për kohë të gjatë në ambient.
Instituti paralajmëron se mbi 90% e këtyre grimcave, pasi absorbohen nga sistemi respirator, ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e infeksioneve, veçanërisht tek fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike.
Ndër pasojat kryesore të ndotjes së ajrit, IKSHPK rendit rritjen e vdekshmërisë, përhapjen e sëmundjeve respiratore si bronkiti dhe astma, dëmtimet në sistemin kardiovaskular, si dhe rrezikun për zhvillim të kancerit.
Sipas institutit, ditëve të fundit është vërejtur ndotje e lartë nga tymtarët e Obiliqit, duke e rënduar edhe më tej situatën.
IKSHPK kërkon masa urgjente, përfshirë monitorimin në kohë reale të ndotjes nga KEK-u, kontroll të rreptë të filtrave të termocentraleve, inspektime më të shpeshta dhe investime në teknologji për uljen e emetimeve.















