Dy persona kanë vdekur gjatë kësaj jave në Kosovë si pasojë e infeksionit me virusin e Nilit Perëndimor (WNV), ndërsa në vend janë konfirmuar gjithsej shtatë raste të infeksionit, ka njoftuar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK).
Rastet janë konfirmuar gjatë periudhës 7 gusht–18 shtator 2026 në Laboratorin e Mikrobiologjisë të IKShPK-së, njofton Dukagjini.
Prej shtatë personave të infektuar, pesë janë meshkuj dhe dy femra teksa dy raste i përkasin grupmoshës 10–19 vjeç, ndërsa rastet e tjera janë të moshave deri në 79 vjeç.
Tri raste janë regjistruar në Gjakovë, ndërsa nga një rast në Prishtinë, Shtime, Ferizaj dhe Pejë.
“Të gjitha rastet janë hospitalizuar në Klinikën Infektive të QKUK-së në Prishtinë: tri me shenja klinike të meningjitit akut, tri me shenja të meningoencefalitit akut dhe një rast me gjendje febrile. Gjatë kësaj jave janë raportuar dy raste të vdekjes nga WNV në Kosovë.
Nga analiza fillestare nuk është evidentuar lidhje epidemiologjike ndërmjet rasteve, prandaj ato janë klasifikuar si sporadike. Vetëm një nga shtatë rastet ka raportuar histori udhëtimi jashtë vendit”, thuhet në njoftim.
IKShPK-ja ka bërë të ditur se ka ndërmarrë masa për monitorimin e situatës teksa të gjitha Qendrat Rajonale të Shëndetit Publik kanë komunikuar me komunat përkatëse për rritjen e vigjilencës dhe ndërmarrjen e masave për parandalimin e përhapjes së virusit.
Në Gjakovë, ku janë konfirmuar tri raste, një ekip i IKShPK-së, në bashkëpunim me QRSHP Gjakovë, është angazhuar në terren për vlerësimin dhe hulumtimin e situatës epidemiologjike. Vizitë të ngjashme ka realizuar edhe QRSHP Ferizaj.
Instituti u ka bërë thirrje komunave, veçanërisht atyre ku janë konfirmuar raste, që të intensifikojnë dezinsektimin kundër mushkonjave dhe eliminimin e vatrave të shumimit të tyre.
Për mbrojtje personale, qytetarëve u rekomandohet përdorimi i repelentëve kundër mushkonjave, veshja e rrobave që mbulojnë pjesën më të madhe të trupit, vendosja e rrjetave mbrojtëse në dritare dhe përdorimi i pajisjeve mbrojtëse në ambiente të jashtme.
IKShPK-ja këshillon që personat që kanë vizituar zona ku raportohen infeksione të transmetuara nga mushkonjat, pas kthimit të përcjellin gjendjen shëndetësore. Në rast të temperaturës, dhimbjes së kokës, lodhjes, skuqjes së lëkurës apo shenjave neurologjike, rekomandohet të kërkohet menjëherë vlerësim mjekësor.