Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka konfirmuar 9 raste të fruthit të raportuara nga data 5 deri më 13 maj 2025 në disa komuna të vendit. Rastet janë regjistruar në Ferizaj (4), Shtime (2), Lipjan (1), Graçanicë (1) dhe Fushë Kosovë (1).
Sipas të dhënave zyrtare, 7 nga të prekurit janë fëmijë të moshës 1 deri në 2 vjeç dhe 2 raste janë në grup-moshën 4–5 vjeç. Të gjithë fëmijët e prekur nuk kanë qenë të vaksinuar me vaksinën MMR, e cila mbron nga fruthi, rubeola dhe shytat.
IKSHPK ka bërë të ditur se këto raste nuk janë më të importuara nga jashtë, por janë raste të transmetimit të brendshëm në komunitet, si pasojë direkte e mungesës së vaksinimit.
Fruthi është sëmundje jashtëzakonisht ngjitëse, madje 6 herë më shumë se gripi, thekson IKSHPK. Sipas ekspertëve shëndetësorë, 1 në 5 persona të infektuar mund të përjetojnë komplikime serioze, përfshirë infeksione të veshit, pneumoni, humbje të dëgjimit, inflamacion të trurit dhe në raste të rënda, edhe vdekje.
Më të rrezikuarit janë fëmijët nën moshën 5 vjeç që nuk kanë marrë asnjë dozë të vaksinës MMR.
Me qëllim të parandalimit të përhapjes së mëtejshme, IKSHPK u bën thirrje prindërve që të kontrollojnë kartonin e vaksinimit të fëmijëve dhe të sigurohen që ata janë vaksinuar sipas Kalendarit të rregullt të vaksinimit në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) të komunave përkatëse.
Vaksina MMR jepet në dy doza: e para në moshën 12 muajshe dhe e dyta në moshën 6 vjeç. Kjo vaksinë është në përdorim për më shumë se 60 vjet dhe është dëshmuar si e sigurt dhe shumë efektive, duke ofruar deri në 100% mbrojtje nga fruthi, nëse merren të dy dozat.
IKSHPK gjithashtu i rikujton institucioneve arsimore parafillore dhe fillore se janë të obliguara të zbatojnë Qarkoren Informuese Nr. 05/2005, që përcakton informimin e prindërve për vaksinimin e detyrueshëm të fëmijëve. Zbatimi i kësaj qarkoreje do të mbikëqyret nga inspektoratet përkatëse.