Mostrat e marra nga uji i pishinës publike në parkun e Gërmisë, në Prishtinë, kanë treguar se ky ujë nuk i plotëson standardet mikrobiologjike të cilësisë.

Lajmi është konfirmuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), i cili ka bërë të ditur se po kryen monitorim të rregullt të cilësisë së ujit në këtë pishinë.

“Ekspertët e Ekologjisë Humane nga IKSHPK kanë marrë mostra për analizë laboratorike nga uji i kësaj pishine, të premten më 19 korrik 2025. Rezultatet e këtyre mostrave, të lëshuara më 22 korrik, treguan se parametrat mikrobiologjikë nuk i kanë plotësuar standardet për ujin e pishinës,” thuhet në njoftim.

Në të njëjtën ditë, pishinën e ka inspektuar edhe Inspektorati Sanitar i Ministrisë së Shëndetësisë.

Ndërkohë, më 23 korrik janë marrë mostra të reja për analizë, ndërsa rezultatet përfundimtare pritet të publikohen më 25 korrik 2025.