Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka njoftuar se pas analizave të fundit të ujit të Ujësjellësit Rajonal KRU “Prishtina”, i cili furnizohet nga Liqeni i Badocit, vlerat e manganit kanë rënë dhe tani uji është i pijshëm.

Sipas rezultateve të analizave të realizuara gjatë periudhës 8-12 nëntor, uji tani është i sigurt për t’u përdorur për pije.

“Rezultatet nga analizat e katër ditëve të fundit (e premte, e shtunë, e diele dhe e hënë, 8-12 nëntor) tregojnë se vlerat e manganit kanë zbritur dhe ato rezultojnë brenda standardeve të parapara për ujin e pijes. Bazuar në këto rezultate, uji mund të përdoret edhe për pije”, thuhet në njoftim.

IKSHPK-ja ka rekomanduar që KRU “Prishtina” të vazhdojë me mbikëqyrjen dhe trajtimin e ujit, duke siguruar që ai të ketë cilësinë dhe sasinë e nevojshme për konsum.

Po ashtu, IKSHPK-ja ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin e treguar gjatë periudhës kur uji nuk mund të përdorej për pije dhe u siguron ata se do të vazhdojë me monitorimin e rregullt të cilësisë së ujit.