Ilir Poroshtica zyrtarizohet kandidat i GUXO-s për kryetar të Gjilanit
Partia GUXO ka zyrtarizuar kandidaturën e arkitektit Ilir Poroshtica për kryetar të Komunës së Gjilanit, duke e prezantuar atë si një alternativë serioze për zhvillimin dhe transformimin e qytetit. Lajmi është bërë publik nga njëri nga dy kryetaret e partisë, Donika Gërvalla, e cila në një postim në Facebook ka vlerësuar lartë figurën e Poroshticës, […]
Partia GUXO ka zyrtarizuar kandidaturën e arkitektit Ilir Poroshtica për kryetar të Komunës së Gjilanit, duke e prezantuar atë si një alternativë serioze për zhvillimin dhe transformimin e qytetit.
Lajmi është bërë publik nga njëri nga dy kryetaret e partisë, Donika Gërvalla, e cila në një postim në Facebook ka vlerësuar lartë figurën e Poroshticës, duke e përshkruar si “arkitekt të njohur, qytetar shembullor dhe njeri të ndershëm e punëtor”.
“Ilir Poroshtica do të jetë kandidati ynë për kryetar të Gjilanit. Ai po hyn në këtë garë me vendosmëri dhe përkushtim, por edhe me modestinë e një profesionisti të përmasave të mëdha”, ka shkruar Gërvalla.
Sipas saj, kandidatura e tij është një hap i rëndësishëm drejt ndryshimit dhe përmirësimit të qeverisjes lokale, ndërsa “fituesit e vërtetë do të jenë qytetarët e Gjilanit”.
Poroshtica, i njohur për përvojën e tij si arkitekt dhe sipërmarrës në sektorin privat, vjen në politikë me qëllimin për të aplikuar të njëjtat standarde të menaxhimit dhe efikasitetit në administratën publike. Gërvalla theksoi se përvoja e tij si menaxher i suksesshëm është aset për qytetin dhe se besimi i qytetarëve do të jetë çelësi për këtë transformim.
Ajo shtoi se një nga prioritetet e ekipit të Poroshticës do të jetë përfshirja e profesionistëve dhe personave me përvojë në administratë, duke sjellë një frymë të re në drejtimin e komunës.
“Gjilanit i duhet një ekip i tillë dhe një qasje e tillë qeverisëse. Dhe kjo frymë po vjen me Ilirin”, ka thënë në fund Gërvalla.















